Die, Mar 24, 2024
Banner Top
Banner Top
“Mos bli prodhime serbe” – Sa po gjen zbatim fushata e nisur nga Burim Piraj?

Në vazhdimësinë e fushatës së egër të Serbisë për pengimin e zhvillimit të shtetit të Kosovës, kohëve të fundit u krijua një kauzë për mos blerjen e produkteve që vijnë nga territori fqinj. Ndonëse iniciativa të tilla për bojkotimin e këtyre produkteve ka pasur edhe në të kaluarën, efektet nuk kanë qenë ato për të cilat është bërë thirrje.

Inicuesi i kësaj fushate, Burim Piraj, në një intervistë të dhënë për portalin Familja Jonë, tregon se me këtë cështje(të bojkotimit të produkteve serbe) është marrë edhe më parë, por si individ. Vendosja e reciprocitetit në raport me targat, për Pirajn, ishte një pikënisje drejt misionit të ndalimit të tërësishëm të blerjes së cfarëdo produkti që vjen nga territori serb. Ai fillimisht hapi një grup me emrin “Mos bli produkte serbe” të cilit iu bashkuan shumë persona.

Sipas Pirajt, me vendosjen e reciprocitetit, u vërejt edhe njëherë, qartë, se cilat janë qëllimet e fqinjëve tanë nga veriu në raport me shtetin tonë. Ai sqaroi se, përmes shitjes së prodhimeve të tyre në Kosovë, po investojnë në ushtri dhe se qëllimi i tyre afatgjatë është ta riokupojnë Kosovën.

“Që prej moti jam marrë me këtë cështje, por vetëm si individ. Por, kur ndodhi aplikimi i reciprocitetit me targat, atëherë u vërejt shumë qartë se cilat janë qëllimet e Serbisë ndaj nesh. Nga kjo e mora këtë iniciativë për një kauzë më të zgjeruar për ndalimin e tërësishëm e blerjeve të produkteve serbe për arsye se ata, të gjitha fitimet që po i sigurojnë përmes produkteve tona, po i investojnë në ushtri dhe armatim, ashtu që, sipas tyre, një ditë, do ta riokupojnë Kosovën. Fillimisht e hapa një grup në Facebook, me emrin “Mos bli prodhime serbe”, në të cilin u bashkëngjitën shumë qytetarë të Republikës së Kosovës, të cilët i falënderoj përzemërsisht që iu bashkëngjitën kauzës”

Inciativa për mosblerjen e këtyre prodhimeve pritet të zgjerohet edhe më shumë. Piraj shprehet se, në kuadër të hapave të mëtejmë, synohet që të vizitohen të gjitha institucionet e Kosovës dhe, nëpërmjet Ministrisë së Arsimit, do të tentohet të futet një ligjëratë mujore për në nivele shkollore, ku do t’u shpjegohet edhe arsyeja e mosblerjes së produkteve serbe.

“Në kuadër të hapave të mëtejmë, synojmë që t’i vizitojmë të gjitha institucionet e Kosovës dhe, nëpërmjet Ministrisë së Arsimit, nëse është e mundshme, të ketë të paktën një ligjëratë mujore për fëmijët e nivelit shkollor se pse nuk duhet të blihen prodhimet serbe. Ne kemi të rinj që kanë lindur pas luftës dhe duhet ta dinë pse duhet vepruar kështu”, shtoi ai.

Në raport me zbatimin e kësaj kauze, Piraj u shpreh i kënaqur se mesazhi i kësaj fushate është duke u arritur dhe po mendohet ndryshe nga njerëzit në këtë aspekt.

“Kam kontakte me shumë qytetarë të cilët, që prej fillimit të fushatës, e kanë ndërprerë blerjen e produkteve serbe. E mira është se tani po mendohet ndryshe në këtë aspekt, qytetarët në mes vete po e zgjerojnë edhe më tutje këtë idenë e mosblerjes së prodhimeve serbe dhe arsyet se pse nuk duhen blerë ato. Unë jam shumë i kënaqur me këtë zhvillim, pasi e gjithë kjo nismë po bëhet në mënyrë paqësore. Ne as po i kërcënojmë blerësit, as shitësit. Thjesht: ne duhet të bëjmë c’mos t’i vetëdijësojmë popullatën se cka po blejnë dhe kë po e financojnë”, shtoi tutje Piraj.

Që prej marrjes së një iniciative të tillë, sipas Pirajt, është vënë re një ulje importi nga fqiu verior. Gjithsesi, ai thekson se këto të dhëna nuk dihet se a janë si efektivitet i iniciativës apo si pasojë e bllokadës dyjavore.

Për fund, Piraj theksoi se do të ishte mirë t’u jepej prioritet produkteve të tjera kosovare dhe joserbe, anipse nuk është qëllimi i tyre t’u bëhët presion qendrave tregtare në këtë aspekt. Sipas tij, me rëndësi vazhdon të mbetet vetëdijësimi i qytetarëve se pse nuk duhet të blihen produktet serbe. /familjajone

Youtube

Arkiva

Kategoritë