Shkruan: Krenare Hoti
Në jetën e secilit prej nesh ka momente që ndajnë “para” dhe “pas”. Një lajm, një diagnozë, një e vërtetë që ta përmbys botën. Për shumë gra, fjala “kancer” është ajo çast që ngrin kohën dhe ndez një betejë që nuk zgjat vetëm në trup, por në shpirt.
Sot, historia që do të lexoni nuk është thjesht rrëfimi i një sëmundjeje, por dëshmia e një ringjalljeje. Arnisa Osmani, gruaja hekur që përballë frikës më të madhe, zgjodhi dashurinë. Që në vend të dorëzimit, zgjodhi shpresën. Që e ktheu dhimbjen në forcë dhe e ngriti zërin për të gjitha ato gra që ende luftojnë në heshtje.
“Ishte e diel pasdite kur vura re një gjëndër në gjirin e majtë. Nuk ishte dhimbje e fortë, por një ndjesi që më trazoi shpirtin. Brenda meje diçka më tha që nuk duhej ta neglizhoja”, fillon historia e Osmanit e cila të nesërmen, pa humbur kohë shkoi për kontrollë. Pas ekzaminimit, në bazë të heshtjes së doktoreshës, ajo kuptoi gjithcka.
“Pas disa analizave dhe pritjes që më dukej si përjetësi, më thanë se duhej të bëhej biopsia. Kur erdhi përgjigjja, e mbaj mend si sot… një moment që ta ngrin frymën dhe ta dridh shpirtin. Ajo ditë ndryshoi gjithçka“, kujton Osmani.
E pyetur se cila ishte ndjenja e parë që të pushtoi atë ditë, fjala e parë që i kujtohet Osmanit është fjala Frikë.
“Një frikë që s’e kisha ndier kurrë më parë. Jo për veten, por për nënën time. Më dhimbte ideja si do t’ia thosha, si do e përballonte ajo. Në atë moment, më kaluan nëpër mendje shumë skena, jeta ime, njerëzit që dua, ëndrrat e pambaruara. Por shumë shpejt, brenda meje lindi një forcë tjetër: ajo që të vjen kur s’ke zgjidhje tjetër veç me luftu. Dhe unë vendosa të luftoj. ” shprehet Osmani.
Pas kësaj, çdo gjë mori kahje tjetër dhe jeta ndryshoi plotësisht per Osmanin.
“Jeta ime ndryshoi rrënjësisht. Kuptova se asgjë nuk është e përjetshme, as dita, as shëndeti, as njerëzit. Fillova ta shoh jetën me sy ndryshe, çdo mëngjes është dhuratë, çdo frymë është bekim. U çlirova nga gjërat e kota, nga njerëzit që të marrin energjinë dhe e mbusha jetën me dashuri, me kuptime të reja, me shpresë. Sot nuk e jetoj më jetën duke pritur të ndodhin gjëra të mëdha , por falënderoj për ato të voglat, që janë në fakt më të mëdhatë“, thotë Osmani.
Osmani, si një grua e fortë që është, shpjegon se ku e gjeti forcën e që në thelb, forcë për të është dashuria!
“Forcën e gjeta te dashuria. Te dashuria e nënës sime, që nuk më la vetëm asnjë ditë. Te dashuria për jetën, që nuk doja ta humbja. Te besimi në Zot, që më dha qetësi kur asgjë tjetër nuk mundej. Në çdo ditë të vështirë, i thosha vetes: “Arnisa, ti nuk je sëmundja jote. Ti je shpresa! Dhe kështu, çdo mëngjes bëja paqe me dhimbjen, por nuk bëja kurrë paqe me dorëzimin.” kujton ajo.
E si çdo sëmundje, dhimbje, apo sfidë që kalojmë gjatë jetës e që na mëson shumë gjëra, edhe kjo sëmundje i mësoi gjënë më të shtrenjtë Osmanit, e që është dashuria për veten!
“E mësova më në fund çfarë do të thotë me e dasht veten. Të mos kërkosh përsosmëri, por qetësi. Të mos shohësh plagët si turp, por si kujtime të luftës që fitove. Sot e dua veten me më shumë mirësi, me më shumë falje. Sepse ajo që e ka përballuar kancerin , nuk është më vetëm një grua, është një forcë e gjallë.”
E krejt në fund, mesazhi kryesor i Arnisa Osmanit është të mos keni frikë, e të mos i humbni shpresat asnjëherë!
“Frika është normale, por mos e lini të bëhet udhërrëfyesi juaj. Kanceri mund të prekë trupin, por s’mund ta prekë shpirtin. Rrethohuni me dashuri, mos i humbni shpresat, dhe besoni se çdo ditë është një fitore e vogël. Ne jemi dëshmi e gjallë se jeta vazhdon, se shpresa ekziston, dhe se gratë janë më të forta se frika“, thotë ajo për të gjitha gratë që po kalojnë sfidën e njëjtë siç e kaloi ajo vet.
Arnisa Osmani Themeluese e “Have Hope Kosova” Aktiviste, psikologe dhe zë i grave që luftojnë me forcë, dinjitet dhe dashuri për jetën.











