Enj, Qer 18, 2026
Banner Top
Banner Top
Abuzimi me antibiotikët: Roli i farmacistëve në ndërgjegjësimin e pacientëve – Intervistë me farmacisten Laureta Berisha Kosumi

Krenare Hoti

Antibiotikët janë barna që përdoren për të luftuar infeksionet e shkaktuara nga bakteret. Ata funksionojnë duke i vrarë bakteret ose duke penguar rritjen dhe shumimin e tyre.

Abuzimi me antibiotikët përfaqëson një problem serioz shëndetësor, i cili lidhet drejtpërdrejt me mënyrën e gabuar të përdorimit të tyre. Shpesh njerëzit i marrin pa recetë mjekësore, vetë-mjekohen për sëmundje që nuk kërkojnë trajtim me antibiotikë si gripi apo ftohja, ose i ndërpresin trajtimet sapo ndihen më mirë pa përfunduar kurën e plotë.

Kjo ndodh shumë shpesh edhe në Kosovë, prandaj Portali Familja Jonë ka intervistuar farmacisten Laureta Berisha Kosumi për të na treguar më shumë rreth gabimeve më të shpeshta që bëjnë pacientët me antibiotikë, cili është ndikimi i tyre në shëndetin afatgjatë dhe shumë detaje të tjera të cilat i gjeni më poshtë.

Gabimet më të shpeshta, e ndoshta edhe më të mëdha, që bëjnë pacientët me antibiotikë lidhen me përdorimin e tyre pa kriter dhe pa këshillën e mjekut. Shpesh ata i marrin për çdo gjendje shëndetësore, qoftë gripale apo bakteriale, pa bërë dallimin mes tyre” thotë farmacistja.

Ajo tregon edhe për një tjetër situatë të gabuar e cila po praktikohet kohët e fundit nga qytetarët e Kosovës. Berisha-Kosumi thotë se një tjetër praktikë e gabuar është qasja e drejtpërdrejtë në barnatore, duke kërkuar antibiotikun që mendojnë se i’u bën mirë, bazuar në përvojat e kaluara ose këshillat e të tjerëve. Sipas saj, ky veprim jo vetëm që rrezikon shëndetin e pacientit, por kontribuon edhe në zhvillimin e rezistencës bakteriale, një nga problemet më serioze të kohës sonë.

Tutje ajo tregon se vetë-mjekimi është një tjetër praktikë e shpeshtë në vendin tonë.

Vetë-mjekimi me antibiotikë është shumë i zakonshëm dhe njëkohësisht shumë i rrezikshëm në Kosovë. Kjo ndodh sepse një pjesë e pacientëve e shohin barnatoren si vendin ku mund të marrin çdo bar, përfshirë edhe antibiotikët, pa recetë mjekësore. Për fat të keq, një numër i madh barnatoresh ende i japin këto barna pa kriter, duke anashkaluar rregullat dhe duke rritur rrezikun për abuzim” thekson ajo.

Gjithashtu, ajo shton se ka raste kur një antibiotik i përdorur më parë të merret sërish nga pacienti, ndonjëherë edhe pas viteve, pa e ditur se përdorimi i tij i përsëritur dhe i pakontrolluar mund të dëmtojë shëndetin dhe të nxisë zhvillimin e rezistencës bakteriale.

E pyetur rreth ndikimit të përdorimit të gabuar të antibiotikëve në shëndetin afatgjatë, Berisha-Kosumi na tregon se përdorimi i gabuar i antibiotikëve ka pasoja shumë serioze për shëndetin individual dhe publik.

Një nga efektet më të rënda është zhvillimi i rezistencës bakteriale, që do të thotë se bakteret përshtaten dhe bëhen të padëmtueshme ndaj veprimit të antibiotikëve. Si pasojë, infeksione të zakonshme, të cilat më parë trajtoheshin lehtësisht, në të ardhmen mund të bëhen të pamenaxhueshme, duke rrezikuar jetën e pacientëve“,thotë ajo.

Tutje, ajo shton se problemi nuk qëndron vetëm tek pacientët që i përdorin pa kriter, por edhe tek mënyra e përshkrimit. “Shpesh antibiotikët përshkruhen pa u bërë analizat e duhura laboratorike dhe antibiogrami, i cili është hapi thelbësor për të identifikuar se cilët antibiotikë janë efektivë kundër bakteries dhe cilët jo. Pa këtë udhërrëfyes, trajtimi shpesh bëhet i gabuar, duke mos e eliminuar shkaktarin e sëmundjes dhe duke shtuar rrezikun për rezistencë. Në planin afatgjatë, kjo do të thotë se do të përballemi me një realitet ku edhe infeksionet më të thjeshta, si ato të rrugëve urinare apo respiratore, mund të jenë të pamundura për t’u trajtuar, sepse bakteret nuk do t’i përgjigjen më asnjë antibiotiku të zakonshëm.”

Sipas saj, kjo është një nga sfidat më të mëdha të shëndetit publik sot dhe kërkon ndërgjegjësim, rregullim më të rreptë të përdorimit të antibiotikëve dhe edukim të vazhdueshëm të qytetarëve e profesionistëve shëndetësorë.

E pyetur rreth rolit të farmacistëve në edukimin e pacientëve për përdorimin korrekt të antibiotikëve, farmacistja na tregon se ata nuk janë thjesht shpërndarës të barnave, por janë profesionistë të kujdesit shëndetësor, të cilët kanë një rol thelbësor në edukimin dhe mbrojtjen e pacientëve.

Një nga përgjegjësitë kryesore të tij është t’i sqarojë pacientët se antibiotikët nuk janë barna për çdo sëmundje dhe se përdorimi i tyre pa recetë mjekësore është një rrezik i madh për shëndetin. Farmacisti duhet të theksojë se antibiotikët veprojnë kundër baktereve, por nuk bëjnë dallim mes baktereve të mira, që mbrojnë organizmin tonë (florës normale bakteriale) dhe atyre që shkaktojnë sëmundje. Prandaj, farmacisti duhet të këmbëngulë që antibiotikët të përshkruhen dhe përdoren vetëm me kriter, duke refuzuar dhënien e tyre pa recetë dhe duke edukuar pacientët“, thekson ajo.

Krejt në fund, Berisha-Kosumi tregon se ndërgjegjësimi për rrezikun e rezistencës ndaj antibiotikëve duhet të fillojë nga profesionistët shëndetësorë si: mjekët, farmacistët dhe infermierët.

Çdo profesionist ka përgjegjësi të ndikojë drejtpërdrejt në edukimin e pacientëve, duke i shpjeguar qartë dëmet që sjell marrja e antibiotikëve pa recetë dhe pa kriter“, shprehet ajo.

Sipas saj, përveç profesionistëve shëndetësorë, një rol vendimtar luajnë edhe media dhe fushatat informuese, të cilat mund të përcjellin mesazhe të qarta dhe të vazhdueshme për publikun.

Vetëm përmes bashkëpunimit të të gjithëve si: institucioneve shëndetësore, barnatoreve, shkollave, mediave dhe vetë qytetarëve, mund të krijohet një kulturë e re e përdorimit të kujdesshëm të antibiotikëve“, thekson Berisha-Kosumi.

Youtube

Arkiva

Kategoritë