Shkruar nga Getoarbë Mulliqi Bojaj
Derisa nuk bëhesh nënë për vete i beson shumë thënies “NANË TË KEQE NUK KA” – ama kishte, që ç’ke me te. Janë ato nana të cilat i japin vetes shumë kompetenca me i mësua nanat e reja për gjithçka. Në fakt kjo fillon që nga shtatzënia, ku të përzihen dhe e luajnë ekspertin për gjithçka; ushqimi, stili i jetës, puna, punët e shtëpisë, rrobat, përgatitjet për bebin, mënyra se si do të lindësh e të tjerë. Në fakt, mua më intereson shumë të di, pikërisht këto nëna a kanë pas nëna të tjera para tyre, t’iu “ekspertojnë” lidhur me çdo çështje dhe a u kanë shkuar nerva atyre ato nëna, ashtu siç më shkojnë mua këto të fundit?!
Diku kah muaji i 7-8 e gjen veten ose duke ua bë rrafsh ose duke u sillë egër, sepse lodhesh fort nga “këshillat” e tyre.
Meqenëse veç jemi tek këshillat, qe një këshillë prej meje “MOS E PRANONI AS NJË KËSHILLË” – shtatzënia dallon jo vetëm nga personi në person, por edhe i njëjti person nuk i ka dy shtatzëni të njëjta; bebet dallojnë – madje edhe binjakë kur janë, është çështje organizmi, ajo çfarë funksionon për një bebe, jo domosdoshmërish funksionon për tjetrën. Që do të thotë këshillat e vetme merren nga ekspertët e fushës, e jo nga një e vdekshme e zakonshme e cila mendon që di gjithçka, e besa edhe mund të ta rrezikojë jetën. (Një mikes time i ka propozuar një nanë eksperte që bebes 3 muajsh t’i jap supost për temperaturën e vaksinës, dhe natyrisht se bebi ka përfunduar në spital me hipotermi)
Kthehemi tek fjalia e parë: Nana të këqija janë nanat të cilat i bëjnë nanat e tjera të ndihen keq. Janë këto nana që të paragjykojnë, të akuzojnë, të shohin sikur “ti s’ke ditë, se këqyre fëmijën tim”. Nuk ka nanë perfektë, sepse edhe nanat janë veç njerëz – por që e mbajnë në bark dhe i japin jetë edhe një njeriu tjetër, i cili është përgjegjësi e saj tërë jetën. Madje gjatë procesit të prindërimit kam ardhur në përfundim se pikërisht këto nanat “perfekt” që i kanë fëmijët gjeni, që secilën fjali të një nane tjetër e ndërpresin me “Jo valla ky i jemi…” janë ato që kanë shumë probleme me veten. Tek e fundit, çfarë njeriu je kur fiton kënaqësi duke e bë dikë tjetër të ndihet keq; të dyshojë në formën se si po e rritë fëmijën e vetë; apo mendon se ti e do fëmijën tënd më shumë se sa ne që i duam tanët? A nuk është sadizëm?
Duke e pas një super-nanë (Shpresën) e cila përpos nanë është edhe doktoreshë, e kam pas fituar një vetëbesim se do t’ia dal pa frika e paranoja rritës së bebes. Nuk ia dola – madje ende ka net kur e ruaj se a po merr frymë, se për fillim mos të flasim, kishte 4 mujë që nuk kisha fjetë, dhe kur më zinte gjumi zgjohesha e tmerruar, se ka mund diçka me i ndodhë çikës. Ka ende raste kur e thërras pediatrin e Evës (dr. Faton Xhakën) edhe e pyes a është duke marrë frymë në rregull, apo më shpejtë se zakonisht?
Unë i besoj shumë instinktit tim, nuk më ka gënjyer asnjë herë sa i përket rritës së Evës, mirëpo preferoj që fjalën e fundit të ma thotë doktori.
Mësimin më të mirë ma kanë dhënë 6 muajt e parë e të bërit nanë. Pas lindjes me prerje Cezariane (që është film në vete edhe kjo punë, në rrafshin e asaj se sa paragjykuese janë pikërisht këto nanat e lartpërmendura), procesi i gjidhënjes dallon. Duke qenë se kam lindë në javën e 39 të shtatzënisë, kam qenë e përgatitur që qumështi i gjirit mund të vonohet 2-3 ditë, edhe pse që nga muaji i pestë unë kam pasur rrjedhje të vazhdueshme nga gjinjtë – madje herën e parë jam tmerruar kur më kaploi diçka e lëngshme dhe nuk e dija se çfarë ishte. Nga kjo më është thënë se jam me fat sepse procesi i laktacionit ka filluar dhe se do të kem shumë gji.
Eva u lind pak para orës 10 mëngjes, ndërsa mamia e saj ka filluar ta ushtrojë të thithë posa u këndella unë. Më kujtohet hera e parë kur Eva ka pi nga gjiri im, ishte po atë ditë që lindi dhe u lirova shumë, isha e bindur se do të kem gji. Nuk doli të jetë ashtu!
3 javët e para ishte në rregull, në njërën anë pinte Eva e në anën tjetër me pompë manuale e nxjerrja kulloshtrën (me ia lyer fytyrën, trupin etj). Pas këtyre tre javëve më nuk e kisha atë ndjenjën që po mblidhej qumështi në gji – nanat gjidhanëse e dinë atë ndjenjë kur të lëvizë me shpejtësi nëpër damarë, nuk më fryheshin gjinjtë dhe kur Eva thithte e vëreja se po nervozohet, thithte 7-8 herë për të nxjerrë qumësht një herë. Dhe këtu filluan këshillat nga më të ndryshmet, paragjykimet e akuzat… po, po edhe akuza, thua ti krejt ata njerëz e donin Evën më shumë se unë!
Një natë kam pi bozë gati 2 litra – më ra tensioni dhe pata kokëdhembje të tmerrshme.
Kam pi birra pa alkool – sa fillova me mendua që po me dehin edhe pse s’kishin alkool, nga aq sa kisha pi.
Kam ble bakllavë edhe e kam hëngër nga mëngjesi – m’u koçit nofulla nga overdoza e sheqerit.
Kam pi lëngje komplet sheqer që janë (vetëm ujë me ngjyrë e sheqer) – edhe posa i humba rreth 15 kg menjehërë pas lindjes, i shtova 20kg, brenda shumë pak kohe.
Pothuajse çdo ditë bleja një stimulues për laktacion me bazë bimore, në formë pilule, çaji, shurupi, pluhuri e çka jo. Filloi me më ndiku edhe psiqikisht. Edhe natyrisht si krejt nanat pyetja e parë që ia parashtrojmë vetes është “ÇKA KAM BË GABIM?”. Vajza nuk po ushqehej sa duhet me gji, nervozohej shumë. Në anën tjetër unë provoja me e majtë në gji sa më shumë ashtu që me e stimulu qumështin – kështu më thoshin, kështu bëja. Kur Eva s’ishte duke pi provoja me pompë. Tani me rekomandim të pediatrit kur filluam me ia ndihmu edhe me formulë, vajza filloi edhe më pak me e dashtë gjirin dhe unë isha në fazën e parë të depresionit.
“Valla shumë keq që s’po të rrinë në gji, diqysh qashtu krijohet lidhja me fëmijën”, “Ju nanat e reja po pritoni me i mbajtë në gji, po jau konda me u tarahenë”, “Po de ma lehtë me SHISHE, ia jep qaty tamlin edhe nuk lodhesh”, “A ke provu nashta edhe me këtë apo atë metodë”, “Valla boll rrezik se mundet me t’u bo kanceri në gji nëse të mbetet qumështi brenda” – bile një nga këto komente ma ka pas bo edhe një doktoreshë, e në krah të të gjitha komenteve asaj ia pata tregu vendin. Idiotësi ma të madhe nuk ka se një nane të re e cila po mundohet të bëjë gjithçka e po i duket se s’po bën gjë, me ia kompliku jetën me komente idioteske. O qe bre edhe vetë nëse s’ka dashtë me e mbajtë në gji, është vetëm punë e saj!
Me 5 muaj e 3 javë ishte dita e fundit që unë i kam dhanë gji. Posa e ktheva në pozitën e gjidhënjes Eva u pak tu qajtë – e diti çka po e pret, ushtrime të muskujve të faqes, ashtu që për 45 min me i pi 20 ml qumësht. U kthjella në atë moment edhe i thash vetes që veç çikën edhe veten jam duke i mundu, fundja kujt i intereson ma shumë a i jap unë apo jo gji Evës. Se kisha qef me ble 100+ Euro formulë në muaj, 2 Euro një shishe ujë që ndodhte me u ble edhe e dyta gjatë ditës, me sterilizu e përvlu shishe (besa edhe gishta), me i derdhë sa e sa mililitra qumësht sepse formula prishet. Me u çu në pikë të natës me përgatitë formulë, me e ngrohë sa temperatura e trupit, sikur qumështi i gjirit! Me provu 3-4 lloje formulash derisa ta pranon bebi, apo nuk shkaktojnë konstipacion, besa edhe alergji në laktozë e çka jo.
Të gjitha këto m’u kujtuan për një moment, bashkë me sa herë kam qajtë që s’po pinë gji; se tash ka me m’u sëmur çika se po rritet me formulë – se unë jam nanë e keqe që nuk kam gji. Sikur mos të kisha linde me operacion sigurisht do të kisha pas gji – e gjithçka tjetër. Ama Eva si bebe tepër e mbarë që është jo që nuk është sëmur asnjëherë, por as edhe një problem të vetëm s’ma ka bo deri më tani. Ende i luajmë lojërat e njëjta sikur kur e kam mbajte në gji, i mbanë duart tek zinxhiri i qafës, i futë duart nën bluzë, më flenë në krah e mbështetur. Pra, unë nuk kisha humbë asgjë në këtë rrafsh dhe e kuptova që UNË JAM NANË E MIRË – PËR EVËN SIGURISHT MA E MIRA!
Pas kësaj këndellje që ia bëra vetes u takova me një doktoreshë dhe e pyeta pa emocione vetëm për informatë se përse më ka ndodhë kjo? Ajo m’i shpjegoi dy gjendje në të cilat gratë nuk kanë as edhe një pikë qumësht – njëra kishte të bënte me gjëndra të pamjaftueshme, dhe një tjetër ku këto gjëndra janë të zëvendësuara me ind yndyror. Pastaj kishte edhe qindra probleme të tjera, një ishte interesant, kishte gra që lindin edhe pa kanalin e qumështit, dhe në fund më interesoi më së shumti rasti si i imi ku meqenëse fillimisht laktacionin e kam pas në rregull, ushqyerjen konform rregullave dhe këshillave të pediatrit, e vetmja gjë e cila ka ndiku në mos-prodhimin e qumështit ka qenë stresi. Nuk është ndalë tërësisht, mirëpo nuk ka qenë mjaftueshëm sa për ushqyerje ekskluzivisht me qumësht gjiri. Që do të thotë se sikur mos të stresohesha në rend të parë, nuk do ta kisha atë problem. Por ja që “ekspertet e çështjeve” ndodhën!
Unë ndihem shumë me fat që e kam jetuar për 6 muaj këtë përvojë magjike, ku trupi im ende ishte burim jete për atë së cilës i dhashë jetë – ndihesha SUPER-NJERI! Me vjen keq që nuk ka zgjatë se paku deri me 12 muaj, mirëpo jam shumë e lumtur që kam provuar çdo gjë (deri në ato prova që ende po me kushtojnë me obezitet) ashtu që asnjëherë të mos kemi mendime “PO SIKUR TA PROVOJA EDHE KËTË…”.
Të dashura gra, nana apo jo, një këshillë e juaja mund të kushtojë me jetë në skenarin më të keq, mund të shkaktojë plagë të cilat nuk largohen lehtë nga koka e një nane tjetër, mos merrni kompetenca me fol për diçka për të cilën nuk jeni e thirrur. Nëse dikush kërkon këshillë nga ju, tregoni gjithmonë se si keni vepruar, ama asnjëherë mos e nisni fjalinë me “T’kisha qenë si ti…”. Ti nuk je ajo grua, dhe fëmija yt nuk është i saji!
Nuk mund të them që s’kam bo gabime të njëjta – jo deri në masën e paragjykimit e akuzimit, por me raste kam ditë me ua veshë e zhveshë fëmijët shoqeve, se m’u kanë dukë të veshur trashë apo hollë, por për këtë e kam lexuar thënien më fantastike ndonjëherë “Kam qenë nana ideale, në kohën sa s’kam qenë nënë fare”!
Tash edhe kur më pyesin diçka unë tregoj përvojën time – provoj me i kursy nga detajet e panevojshme, ama me u “çu pikë në të terun” me i shkru dikujt jepi gji a veshe ma trashë, NUK NDODHË! /Familja Jonë