Pre, Nën 29, 2024
Banner Top
Banner Top
Temperaturat e larta​, rritet numri i pacientëve që kërkojnë ndihmë në QKMF

Është rritur numri i pacientëve që kanë kërkuar trajtim në qendrën kryesore të mjekësisë familjare në Prishtinë.

Me rritjen e temperaturave, fëmijë e të moshuar po shfaqin simptoma të ndryshme. Ndërsa profesionistët shëndetësorë kërkojnë nga qytetarët të kenë kujdes gjatë konsumimit të ushqimit dhe pijeve.

Sipas specialistes së mjekësisë familjare, Ajtene Pajaziti të moshuarit dhe ata me sëmundje kronike janë grup-moshat, të cilat po kërkojnë më së shumti trajtim gjatë këtyre ditëve.

“Ditët e fundit me ngritjen e temperaturave, është rritur numri i pacientëve, sidomos ata që kërkojnë ndihmë për shkak të temperaturave të larta. Kemi shumë raste, sidomos të moshuar dhe ata me sëmundje kronike, të cilët kërkojnë ndihmë në qendrën tonë dhe në qoftë se nuk mund t’i përballojnë kësaj gjendjeje, atëherë i dërgojnë në QKUK. Janë persona me sëmundje të zemrës, me tension të lartë… Është numër i rasteve edhe të fëmijët të cilët ankohen me dhimbje të fytit, kemi bark-qitje dhe vjellje”, tha Pajaziti për KP.

Ajo ka kërkuar që qytetarët të kenë kujdes në ushqim dhe ekspozim para diellit.

“Në këto ditë vere duhet të kihet kujdes edhe në ushqim, por në qoftë se kanë vjellje, bark-qitje, menjëherë duhet të kërkojnë ndihmë në qendrën kryesore të mjekësisë familjare apo në ambulancat afër shtëpive të tyre dhe të mjekohen. Ushqimi nuk duhet të jetë shumë kalorik, por duhet të konsumohen më shumë pemë, perime dhe ushqime të ziera, dhe jo ushqime të shpejta… Duhet pasur kujdes ushqime sa më të freskëta për shkak të bark-qitjeve dhe vjelljes për shkak të cilave ka filluar të shtohet numri i pacientëve dhe kërkesa e ndihmës në qendrën kryesore të mjekësisë familjare”, tha Pajaziti.

Pajaziti ka rekomanduar qytetarët se si te kenë kujdes ndaj temperaturave te larta.

“Këto ditë është mirë që pacientet në përgjithësi duhet të ruhen prej temperaturave të larta, sidomos të mos dalin në orët e mesditës, prej orës 10:00 deri 15:00. Duhet vazhdimisht të konsumohen lëngje dhe ujë. Duhet pasur kujdes edhe në veshmbathje. Veshja të jetë komode dhe me ngjyrë të çelët. Nëse kanë nevojë gjithsesi që të dalin në mesditë, atëherë duhet të kenë kapelë ose ombrellë me vete”, u shpreh Pajaziti./kp

Youtube

Arkiva

Kategoritë