Pre, Nën 29, 2024
Banner Top
Banner Top
Vonesa e Gjuhës dhe të Folurit Tek Fëmijët

Vonesa e gjuhës dhe të folurit shfaqet kur një fëmijë nuk zhvillon gjuhën dhe të folurit në normën e pritur. Është një problem zhvillimi i zakonshëm, që prek deri në 10% të fëmijëve në parashkollor.

Si mund ta di nëse fëmija im ka vonesa në të folur?

Çdo fëmijë zhvillohet sipas ritmit të tyre. Por nëse fëmija juaj nuk flet aq sa shumica e fëmijëve të moshës së njëjtë, problemi mund të jetë vonesa në të folur.


Simptomat e vonesës së gjuhës dhe të folurit

Fëmija juaj mund të ketë vonesë në të folur nëse nuk mundet të bëjë këto gjëra:

  • Të thotë fjalë të thjeshta (si mami) qartë ose paqartë në moshën 12 deri në 15 muaj.
  • Të kuptojë fjalë të thjeshta (si “jo” ose “ndalo”) kur i bëjnë 18 muaj.
  • Të flasin në fjali të shkurta kur janë 3 vjeç.
  • Të tregojnë një ngjarje të thjeshtë kur janë 4 deri në 5 vjeç.

Çfarë shkakton vonesë të gjuhës dhe të folurit?

Shkaqet më të zakonshme të vonesës së të folurit janë:

  • Humbja e dëgjimit
  • Zhvillimi i ngadalshëm
  • Vonesa mendore

Të tjera shkaqe mund të jenë:

  • Privimi psikosocial (fëmija nuk kalon kohë të mjaftueshme duke folur me të rritur).
  • Të qenit binjak.
  • Autizmi (çrregullimi zhvillimi).
  • Memecëri e zgjedhur (fëmija thjeshtë nuk dëshiron të flasë).
  • Paralizë cerebrale (çrregullim zhvillimi i shkaktuar nga dëmtimi i trurit).

Pse të jetuarit në një shtëpi dygjuhëshe mund të ndikojë në të folurit dhe gjuhën e fëmijës tim?

Truri duhet të punojë më shumë për të interpretuar dhe përdorur dy gjuhët, prandaj fmijëve mund t’iu duhet më shumë kohë që të fillojnë të përdorin njërën ose dy gjuhët që janë duke mësuar. Nuk është e pazakonshme që një fëmijë dygjuhësh të përdorë vetëm njërën gjuhë për një kohë.

Si diagnostikohet vonesa e gjuhës dhe të folurit?

Mjeku juaj mund t’iu ndihmojë që të zbuloni vonesën në gjuhë dhe të folur. Ai ose ajo mund të dëgjojë të folurit dhe të kontrollojë zhvillimin mendor të fëmijës. Mjeku gjithashtu mund t’iu referojë tek specialistë të tjerë. Për shembull, mjeku mund të sugjerojë një testim dëgjimi për fëmijën tuaj.

Një audiologist (një profesionist i licensuar i kujdesit shëndetësor të dëgjimit) do të bënte një test dëgjimi për të kontrolluar për probleme të dëgjimit.

A mund të parandalohet ose shmanget vonesa e gjuhës dhe të folurit?

Varësisht nga ajo se çfarë është duke shkaktuar vonesën e të folurit, ju mund të mos jeni në gjendje ta parandaloni. Nëse të folurit te fëmija juaj është vonuar për shkak të humbjes së dëgjimit, aparatet e dëgjimit ose implantet kokleare mund të ndihmojnë fëmijën tuaj të dëgjojë të folurit. Sapo fëmija të ketë qasje në zë (dhe të folur), ai ose ajo mund të jetë në gjendje të zhvillojë gjuhën dhe madje edhe të arrijë bashkëmoshatarët e tij/saj që dëgjojnë.

Nëse fëmija juaj dëgjon dhe kupton gjuhën, ju mund të inkurajoni atë që të flasë duke folur sa më shumë kur jeni rreth tyre. Përshkruani se çfarë jeni duke bërë, duke filluar nga larja e enëve, te ujitja e bimëve e servimi i ushqimit. Vazhdoni të flisni. Nëse fëmija juaj flet, konfirmoni atë që ai ose ajo është duke thënë. Gjithmonë ofroni përgjigje.

Trajtimi i vonesës së gjuhës dhe të folurit

Fëmija juaj mund të mos ketë nevojë për trajtim. Disa fëmijëve i’u duhet më shumë kohë që të fillojnë të flasin. Mënyra se si mjeku mund ta trajtojë fëmijën varet nga shkaku i vonesës së të folurit. Mjeku juaj do t’iu tregojë shkakun e problemit të fëmijës dhe të shpjegojë çfarëdo trajtimi që mund ta rregullojë ose përmirësojë problemin.

Patologjisti i gjuhës dhe të folurit mund të jetë shumë i dobishëm në krijimin e planeve të trajtimit. Ky person mund të tregojë si ta ndihmoni fëmijën që të flasë më shumë dhe më mirë, si dhe mund ta mësojë fëmijën si të dëgjojë ose të lexojë buzët.

Punëtorë tjerë të kujdesit shëndetsorë që mund të jenë në gjendje t’iu ndihmojnë juve ose fëmijës suaj janë: një audiologist, psikolog (specialist në probleme të sjelljes), terapist profesional ose punëtorë social (që mund të ndihmojë me probleme familjare). Mjeku i familjes mund t’iu referojë tek këta punëtorë shëndetësorë nëse fëmija juaj ka nevojë për ndihmën e tyre.

Të jetosh me vonesë të gjuhës dhe të folurit

Vonesa e gjuhës dhe të folurit mund të jetë frustruse për prindërit dhe fëmijët. Një fëmijë që nuk mund të shprehë mendimet dhe emocionet e tij ose të saj ka më shumë gjasa që të sillet keq dhe të zemërohet lehtë. Ata mund të përdorin sjellje jo të pritshme për të marrë vëmendjen tuaj.

Përpiquni të kujtoni se fëmija juaj dëshiron të komunikojë me ju. Lexoni për fëmijën tuaj dhe flisni sa më shumë që mundeni. Inkurajoni fëmijën tuaj të flasë. Kur ai ose ajo përpiqet të flasë, lavdëroni përpjekjet e tyre.

Youtube

Arkiva

Kategoritë