Përmes një konference për medie, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka bërë të ditur se janë duke u marrë veprime konkrete për, sic thotë, ndalim të abuzimit dhe mashtrimit në raport me cmimet e produkteve.
Ajo, ndër të tjera, u shpreh se i dënon ashpër këto veprime.
““Siç keni parë ka pasur mobilizim për ndalimin e këtyre mashtrimeve. Ka veprime serioze qoftë të Policisë së Kosovës, inspektorëve e prokurorisë dhe besoj se me veprimet e institucioneve do të ndalohet ky abuzim që është bërë ditëve që lamë pas”, tha ministrja.
Ndryshe, ditëve të fundit është vërejtur rritje enorme e çmimeve të produkteve bazë, si vajit, miellit, sheqerit si dhe i derivateve. Pas kësaj, të enjten pasdite janë mbyllur dy depo të operatorëve ekonomikë, njëra në Fushë Kosovë dhe Graçanicë.
Para disa dite çmimi i një litre vaji ishte mesatarisht 1,60 euro, ndërsa gjatë të enjtes një litër vaj kushtonte 3,49.
Lidhur me rritjen e çmimeve, kryeministri Albin Kurti kishte thënë se çmimi i vajit në Kosovë është më i larti në botë.