Përkufizimet për fjalën “shëndrejtësi”, pos si një lëshim gjatë artikulimit, po e përshkruajnë edhe atë që Sindikata e Shëndetësisë, tash e sa kohë, po babëzitet ta arrijë.
“Drejtësia” e ofruar nga qeveritarët nuk po del të jetë më shumë sesa një “drejtëz që ka marrë tatpjetën” në kanarin e kryesindikalistëve mantelbardhë, që zgjidhjen e propozuar nga të parët në lidhje me pagat po e shohin jo të duhur.
Anipse për medie rëndom s’pranojnë të flasin, përfaqësuesit e kësaj sindikate nuk i kursejnë paralajmërimet për, sic thonë, trazira sociale, nëse koeficientët vazhdojnë të mbeten të njëjtët në vendimin final për pagat.
Koeficientët për sistemin shëndetësor, sipas propozimit të fundit në lidhje me Ligjin për Paga, do të lëvizin nga 3.7 deri në 10.6 (për drejtuesit në shëndetësi).
Problemi që përfton kjo situatë lidhet me atë se drejtuesit e Sindikatës së Shëndetësisë shprehen se nuk janë të njohur me vlerën e këtyre koeficientëve, e për rrjedhojë nuk e dinë se cfarë pagash do të marrin.
Në këmbim të vazhdimësisë së punës, po e njëjta sindikatë, muaj më parë kërkoi rritje page në 50% nëse Ligji për Paga nuk miratohet së bashku me buxhetin e vitit 2022. Të tilla qëndrime nuk kaluan nga e thëna në të bërë, përkundër qw “qitje- pritjet” me ekzekutivin nuk mungonin.
Edhe pse tani konkretisht nuk iu referohen grevave, nëntekstualisht aludohet për një situatë e cila mund të mund të jetë vështirë e përballueshme.
Gjendja disi më e lehtë epidemiologjike, e treguar kohëve të fundit, e ka ulur numrin e të hospitalizuarve në spitale, e paralelisht me këtë i ka rritur kërkesat e personelit shëndetësor të cilët ngulmojnë që nuk po trajtohen aq seriozisht.
Të papërshtatshëm dhe jo mjaftueshëm të qartë projekt-propozimin për pagat e konsideruan edhe SBAShK dhe Sindikata e Policisë, ku deklaruan njëzëri se ky draft nuk mund të jetë i pranueshëm.
Një reagim i ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveqla, se këta koeficientë nuk janë përfundimtarë, ripozicionoi edhe një herë në “armëpushim” të përkohshëm të dyja taboret, përderisa pritet që “shëndrejtësia” të kulmojë me harmozim të plotë në mes kërkesave dhe ligjit. /familjajone