11 shkurti dallohet si Dita Botërore e Epilepsisë në kalendarin mjekësor. Epilepsia është një sëmundje trunore e cila karakterizohet me aktivitetin e pakontrolluar elektrik në tru, përkatësisht në pamundësinë e rregullimit të qarkullimit elektrik ndërmjet qelizave nervore.
Në një intervistë për familjajonë neurologu, Blerim Myftiu tregoi më shumë rrëth kësaj sëmundje dhe mënyrës se si paraqitet kjo te njerëzit.
“Paraqitet në forma të ndryshme, ku aktiviteti mund të jetë i kufizuar në një pjesë të trurit dhe ajo të reflektohe më pas me tkurrje të pçavullnetshme të një pjese trupore. Por mund të jetë edhe aktivitet i gjeneralizuar trunor i cili reflektohet me humbjen e vetëdijes dhe shtangien e gjeneralizuar trupore.”, tregoi Myftiu.
Epilepsia është sëmundje që godet të gjitha gjinitë, sipas Dr. Myftiu gjinia femrore është ajo që hasë më shumë vështirësi në menaxhimin e kësaj sëmundje, duke marrë parasysh edhe paragjykimet që marrin nga të tjerët.
“Problemi kryesor është shtatzënia. Fatkeqësisht, paragjykimi për sëmundjen e vështirëson jetën sidomos të vajzave të reja të cilat përveç sëmundjes ballafaqohen edhe me njohuritë e mangëta dhe paragjykuese të shumëkujt. Porosia për vajzat e reja është e madhe. Mos u frikësoni nga sëmundja dhe terapia. Gjeni neurologun që ju dëgjon dhe ju mbështet. Secila vajzë apo grua me epilepsi ka të drejtë të lind. Neve mjekëve na takon të vendosim për terapinë e saktë dhe nëse gjatë shtatzënisë nuk jemi në gjendje që t’i ndërpremë barnat e nënës, atëherë ta zgjedhim barin i cili besohet se nuk shkakton keqformime apo probleme të tjera te fryti”, shtoi Myftiu
Një krizë epileptike mund të japë konfuzion të përkohshëm, çrregullim të të folurit, lëvizje të pakontrollouara të anesive dhe humbje të vetedijes, sa i përketë kohëzgjatjes së tyre Myftiu tha se krizat e kësaj sëmundje ndryshojnë nga tjetra.
“Mund të jenë kriza të ashtuquajtura të “dalldisjes” që zgjasin disa sekonda dhe paraqiten zakonisht në fëmijët e vegjël. Në këtë rast shkëputja e vetëdijes është momentale, shpesh e pavërejtshme dhe pas disa sekondash aktiviteti i fëmijës vazhdon nga vendi ku ka mbetur. Krizat e tjera mund të zgjason deri në 2-3 minuta. Në këto raste e kam fjalën për krizat e tkurrjes muskulore. Kurse pas ndërperjes së tkurrjes së pavullnetshme muskulore, mund të pasojë një periudhë edhe më e gjatë, madje disaorëshe në të cilën pacienti është pa vetëdije, trupi ësjhtë i lirë, por komunikimi me pacientin nuk mund të vendoset”, theksoi neurologu.
Se kjo sëmundje nuk mund të parandalohet e konfirmon edhe vet neurolgu Myftiu, përvec sulmeve që shkaktohen nga epilepsia të cilat janë të parandalueshme.
“Epilepsia fatkeqësisht nuk mund të parandalohet. Nuk është se ka ndonjë metodë për shmangien e sëmundjes si të tillë. Mirëpo, sulmet epileptike mund të parandalohen, duke pasur kujdes për gjumin, për ushqimin, duke i shmangur burimet e dritës që rrjedhin nga një fokus, apo edhe çdo nxitës tjetër që mund të jetë provokues i sulmit”, shtoi neurologu, Blerim Myftiu.
Sa i përketë mundësisë së operimit të kësaj sëmundje, neurologu tha se një përqindje shumë e vogël e pacientëve mund të operohen, por në ato raste duhet identifikuar saktë vendin apo burimin e sulmeve epileptike.
“Trajtohet zakonisht me barna. Në shumicën e rasteve një tabletë në dozë të përshtatshme është e mjaftueshme për kontrollimin e sulmeve epileptike. Në disa raste duhet kombinuar terapinë. Ekziston një numër fatkeqësisht i konsiderueshëm rastesh në të cilat kombinimi i deri katër barnave antiepileptike nuk siguron kontroll të mirë të sulmeve. Një përqindje shumë e vogël e pacientëve mund të operohet. Por në këto raste duhet identifikuar saktë vendin apo burimin e sulmeve epileptike”, tregoi Myftiu.
Ndryshe, sipas profesionistëve shëndetësorë sëmundja e epilepsisë tashmë ka prekur 65 milionë njerëz në tërë botën, derisa vetëm në Evropë janë rreth 6 milionë njerëz të prekur me epilepsi.