T’u mësosh adoleshentëve rëndësinë e pasojave të veprimeve të tyre, është tepër e rëndësishme, sepse kështu bëhen më të përgjegjshëm në moshë më të rritur. Si prind, sigurisht ndihesh tepër i stresuar, kur fëmija nuk i kushton rëndësi këshillave të tua, apo pasojave të veprimeve të veta. Por si mund t’ia dalësh mbanë në këto raste? Si mund ta disiplinosh fëmijën tënd adoleshent për ta kuptuar rëndësinë e pasojave të veprimeve të tij/saj?
1. Përdor pasojat natyrale.
Pasojat natyrale janë ato që vijnë prej veprimeve të adoleshentit. Psh, nëse fëmija yt harroi sërish të bënte detyrat e shtëpisë (për të pestën herë këtë javë), mos u ofro për ta ndihmuar. Lëri të përballojë të nesërmen pasojat, të bërtiturat e mësuesve, apo një notë negative. Lëti të përballen me pasojat e veprimeve apo mosveprimeve të tyre.
2. Largohu kur të jetë e nevojshme.
Disa adoleshentë pëlqejnë të grinden dhe ata gjejnë mënyrat për ta bërë, në ato vende ku mund të jenë verbalisht aktivë. Ata duan të debatojnë edhe nëse nuk ka asnjë arsye për të debatuar. Nëse fëmija yt është i tillë, atëherë mos i jep shkak për t’u zënë me ty. Largohu nëse e sheh të acaruar. Debati i fortë me të, nuk është një strategji tepër disiplinuese për një fëmijë adoleshent.
3. Mos u përqendro tek ndëshkimi.
Adoleshentët kanë shumë energji dhe sigurisht duan ta bëjnë diçka që u duket interesante ose e vlefshme. Në vend që të përqendrohesh tek ndëshkimi i tyre, mundohu t’u ofrosh mundësi të reja për të mësuar diçka mbi të ardhmen, apo për të ushtruar një talent që mund të kenë. Përqendrohu tek mundësitë, më tepër se tek ndëshkimet.
4. Përqendrohu te motivimi i brendshëm.
Motivimi i brendshëm (ose intrinsek) do të thotë që fëmija yt adoleshent të ndjekë një aktivitet duke e ndryshuar për mirë sjelljen e vet. Mirëpo duhet që ai aktivitet t’i pëlqejë, jo të ndiejë se duhet ta bëjë pasi në fund do e shpërbleni. Nëse fëmija juaj nuk reagon me një nga pikat e mësipërme, provoni një pikë tjetër., pasi janë provuar në grupe të mëdha fëmijësh dhe kanë rezultuar të vlefshme.