Enj, Nën 28, 2024
Banner Top
Banner Top
Masat antiCOVID që pritet të miratohen sot në Qeveri

Komiteti për menaxhim të pandemisë COVID-19 një ditë më parë mbajti mbledhje, ndërsa propozoi lehtësim të masave antiCOVID, e të cilat pritet që sot të miratohen nga Qeveria e Kosovës.

Kufizimi i lëvizjes është propozuar të jetë deri në orën 24:00, ndërsa orari i lokaleve të gastronomisë është lejuar deri në 23:00.

Në propozimin e Komitetit për menaxhimin e pandemisë është rekomanduar po ashtu që hyrja në Kosovë të jetë me dy vaksina pa pasur nevojë për testin PCR.

Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi pas mbledhjes së Komitetit ka njoftuar se masat e reja të propozuara prite të votohen në mbledhjen e së premtes në Qeveri, ndërsa të hyjnë në fuqi të shtunën.

“Ne kemi vendosur në bazë të masave që kemi pasur deri tani, ato kanë treguar efekt shumë të mirë kështu që ne do t’i lehtësojmë shumicën prej këtyre masave. Për shembull hyrja në kufi do të jetë më dy vaksina, ne i kemi propozuar, nesër qeveria duhet t’i aprovojë sigurisht. Nëse i ka dikush dy vaksina ose tri mund të hyjë në Kosovë, ai që ka vetëm një duhet me pas test.

Kjo e famshmja, që po i themi ne, ora policore, është shtyrë deri në orën 24:00, dhe fitneset do të hapen.

Por qëllimi kryesor që të kërkohet nga të gjithë këta të restoranteve, lokaleve, të shtëpive të mallrave, qendrave tregtare që hyrja të kufizohet për vetëm ata që kanë vaksina”, tha ai.

Ministri Latifi theksoi se situata pandemike në vend iu ka dhënë mundësi për lirim të masave, por shtoi se nëse është nevoja brenda natës do ketë ashpërsim të masave.

Latifi po ashtu tha se orari i punës së gastronomisë me lirim të masave është mundësuar të jetë deri në orën 23:00.

“Nëse ora policore është shtyrë në orën 24:00 ata në restorant mundem me qenë deri në orën 23:00… Në bazë të dhënave që kemi jemi në gjendje t’i zvogëlojmë masat, t’i zbusim pak ato. Por t’iu them edhe njëherë, ne përcjellim gjendjen për çdo ditë, nëse duhet t’i shtojmë prapë masat ne i shtojmë krejt varet prej asaj se çka ngjan me statusin epidemiologjik… Këto miratohen nesër (premte) nga Qeveria dhe ne do vlerësojmë situatën çdo javë nëse duhet t’i ndërrojmë, ne i ndërrojmë edhe brenda natës, por shpresoj që nuk do të kemi nevojë… Masat hyjnë të shtunën në mëngjes”, tha ai.

Latifi nuk ka dashur ta komentojë mospjesëmarrjen e Asociacionit të Komunave të Kosovës në takimet në Komitetin për menaxhim të situatës COVID-19.

Aktualisht në fuqi janë masat ku puna e gastronomisë lejohet vetëm deri në orën 21:00, ndërsa ora policore nis nga ora 22:00 deri në 05:00. Deri më tash, për të hyrë në Kosovë qytetarët duhet të kenë tri doza të vaksinës antiCOVID apo dy doza dhe testin PCR. Kjo masë e fundit ka ngjallur reagime të shumta.

Youtube

Arkiva

Kategoritë