Pre, Nën 29, 2024
Banner Top
Banner Top
Mantelbardhët në grevë, pacientët nuk marrin shërbimet mjekësore

Përveç në rastet me urgjence mjekësore, sot në të gjitha njësitë e Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës dhe Qendrat e Mjekësisë Familjare nuk është ofruar shërbim tjera shëndetësore, pasi profesionistët shëndetësorë janë në grevë 8-orësh.

E përmes kësaj greve, e cila nisi në orën 07:00 mjekët po kërkojnë që të procedohet Ligji i Pagave.

Kryetari i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, Blerim Syla tha për Kp se të gjithë profesionistët shëndetësorë i janë përgjigjur grevës.

Ai tha se kërkesa e tyre mbetet e njëjtë, Ligji i Pagave, ndërsa shtoi se të hënën do të mblidhet Këshilli drejtues i kësaj Federate për të vendosur për masat që do të ndërmarrin për mos reflektim të Qeverisë karshi kërkesave të tyre.

“Ne kemi kërkuar si e kemi pasur edhe premtimin që Ligji i Pagave të vijë deri në fund të vitit në parlament, të parashihet në buxhetin 2022, me qëllim që të startohet. Po ashtu, kemi kërkuar që pjesë e draftimit të këtij ligji të jemi edhe ne përfaqësuesit e sindikatave, por jo vetëm edhe shoqëria civile ta shohim nuk kanë reflektuar deri tani se si do të shkojë rrjedha nuk e di… Të hënën merret vendimi përfundimtar, sepse të hënën mblidhet Këshilli Drejtues i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë dhe do të shohim se çfarë masa të mëtutjeshme duke shpresuar gjithmonë që të reflektojë Qeveria”, tha Syla.

Ai kërkoi nga Qeveria që të reflektojnë sa më parë pasi që kjo do t’i dëmtojë pacientët dhe do të ndikojë në ikjen e mjekëve nga Kosova.

“Kemi pasur premtime nga Kurti se që me ardhjen në pushtet do ta marrin seriozisht dhe do të rriten edhe koeficientet dhe kemi shpresuar shumë, por me ardhjen në pushtet kanë ndryshuar gjëra dhe neve që nga këto muaj nuk kemi pasur pothuajse fare përgjigje, takime hiq se hiq. Ju lutem, mos na ndani nga pacientë më së paku ne shëndetësia duam grevën lehtë e kanë të tjerët me bë greva ne e kemi më vështirë, duhet t’i lëmë pacientë, andaj kërkoj që të reflektojë sa më parë që të dalë në publik që mund apo nuk mund të bëhet në mënyrë që ne ta rishikojnë pozicionin tonë, përndryshe kjo do të shkojë në dëm të pacientëve, por ajo çka është më e keqja zbrazja nga mjekët e rinj dhe infermierët”, deklaroi ai.

Qysh herët në mëngjes në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë kishte ardhur Sevdije Ajeti për t’u furnizuar me insulina, të cilat siç u shpreh ajo tash e disa javë kanë munguar. Por ajo nuk i mori ato pasi që askush nuk punonte.

“Për insulina kam ardhur… Këtë muaj nuk i kam marrë, domethënë prej 1 që i marrim deri më 6-7, sa është nuk kemi marr tash qenka mbyll”, u shpreh ajo.

Edhe Blerim Pacolli kishte ardhur për të marrë dozat e insulinave për nënën e tij, por ai këtë shërbim nuk e mori pasi mjekët ishin në grevë.

Duke e konsideruar si të paarsyeshëm vendimin e mjekëve për të mbajtur grevë, Pacolli tregoi se tash e tri javë ka edhe mungesë të insulinave.

“E paarsyeshme normal se ka ndoshta dy javë ose më tepër që po na shtyjnë nuk ka nuk ka ardhur ende tash kur erdhëm janë në grevë prapë që tri herë po vijë…As insulina nuk ka pasur tash e tri javë”, tha ai.

Zenel Kandomqaj e kishte sjellë djalin e tij 8-muajsh për një kontroll mjekësore, por atij iu desh të kthehej pasi mori njoftimin se mjekët janë në grevë.

E këtë veprim sindikal të mjekëve ai e konsideron të paarsyeshëm.

“Për të kontrolluar djalin e kam sëmurë prej gripit…Është fëmijë 8-muajsh duhet kontrolluar, sa erdhëm, por ka grevë. Nuk është e arsyeshme kjo grevë, sidomos për mjekët”, tha ai.

Edhe javën e kaluar u mbajt një grevë 8-orëshe nga punonjësit shëndetësorë dhe kërkesa e tyte ishte e njëjtë, procedimi i Ligjit të Pagave nga Qeveria e Kosovës.

Youtube

Arkiva

Kategoritë