Sht, Nën 30, 2024
Banner Top
Banner Top
A MUND TË JETË RITUXIMABI ZGJEDHJA E PARË PËR TRAJTIMIN E SKLEROZËS MULTIPLE?

Shkruan: Blerim Myftiu

Rituximabi është një medikament monoklonal që i atakon receptorët CD20 në limfocite dhe duke ndikuar në sistemin imunologjik të pacientit, e qetëson reagimin e tij në sëmundjet inflamatore. Me këtë mekanizëm veprimi, Okrelizumabi dhe rishtas Ofatumumabi janë aprovuar nga rregullatorët ndërkombëtarë për trajtimin e sklerozës multiple. Mirëpo, Rituximabi nuk e ka ende aprovimin zyrtar për përdorimin në sklerozë multiple, edhe pse në shumë vende botërore dhe te ne përdoret për këtë qëllim.

Hulumtuesit suedezë kanë paraqitur të dhënat e tyre për pacientët e trajtuar ndërmjet viteve 2011-2020. Prej mbi 2 mijë pacientëve të diagnostikuar me sklerozë multiple në këtë periudhë, 858 kanë filluar të trajtohen me terapi injektuese (interferon dhe glatiramer acetat), 339 me Dimetil fumarat (Tecfidera), 269 me Natalizumab (Tysabri), kurse pjesa tjetër prej 472 pacientësh janë zgjedhur të trajtohen me Rituximab.

Përpunimi statistikor ka treguar që pacientët e trajtuar me Rituximab kanë pasur numrin më të vogël të relapseve (sulmeve) të sëmundjes. Pacientët e trajtuar me preparate injektuese kanë pasur 6 herë, ata me Tecfidera 3 herë, kurse të trajtuar me Tysabri gati 2 herë më tepër gjasa që të pësojnë sulm të sëmundjes.

Rreziku i zhvillimit të lezioneve të reja në tru po ashtu ka qenë më i ulët me Rituximabin – katërfish më pak se injektueset dhe Tecfidera, 2 herë më pak se Tysabri.

Mbetet të shihet nëse autoriteti rregullator evropian do ta japë dritën e blertë për përdorimin zyrtar të Rituximabit për sklerozën multiple.

Youtube

Arkiva

Kategoritë