Sht, Nën 30, 2024
Banner Top
Banner Top
Çka duhet të dimë rreth sëmundjeve kardiovaskulare?

29 shtatori në mbarë botën njihet si Dita Botërore e Zemrës. Në shumë shtete të botës, kjo dite kalohet duke u informuar dhe ndërgjegjësuar në lidhje me ruajtjen e shëndetit të zemrës.

I kontaktuar nga Familja Jonë, kardiologu Gëzim Berisha tregoi më shumë në lidhje me sëmundjet kardiovaskulare dhe mënyrën se si t’i parandalojmë këto sëmundje.

Më poshtë e gjeni intervistën e plotë

Cilat janë sëmundjet më të shpeshta kardiovaskulare?

Sëmundjet e zemrës si tërsi janë sëmundjet më të shpeshta në trupin e njeriut. Ato janë shkaktari numër 1 i sëmundshmërisë dhe vdekshmërisë në tërë globin.

Termi “sëmundje kardiovaskulare” është një term i gjerë që përfshin një numër të madh të patologjive të zemrës. Më të shpeshtat janë shtypja e lartë e gjakut (hipertensioni arterial), sëmundjet e damarëve të zemrës (sëmundjet e arterieve koronare), sëmundjet e valvulave të zemrës, sëmundjet e muskulit të zemrës që quhen kardiomipati (trashjet e mureve të zemrës apo zgjerimi i zemrës), sëmundjet e lindura të zemrës (psh vrimat në zemër), infeksionet e zemrës etj.

Nga cka shkaktohen sëmundjet kardiovaskulare?

Në  shfaqjen e sëmundjeve të zemrës ndikojnë kombinimi i  faktorët gjenetik-trashëgëmia dhe faktorëve të ambientit të jashtëm. Faktorët e riskut janë disa faktorë që ndikojnë fuqishëm në shfaqjen e sëmundjeve të zemrës. Sa ma shumë faktorë të tillë risku që ka një pacient, aq më të larta do të jenë gjasat që personi në fjalë të preket nga këto sëmundje. Faktorë të tillë janë: duhani, ushqimi, alkoholi, shtypja e lart e gjakut, diabeti, undyrnat e larta, mbipesha trupore,mungesa e aktivitetit fizik,  stresi etj.

Mosha  po ashtu  është faktor i riskut për sëmundje kardiake. Sa  më i moshuar të jetë një njeri, aq më të larta janë gjasat që ai të preket nga sëmundjet e zemrës. Pas moshës 46-vjecare, risku rritet në mënyrë të dukshme.

Si mund t’i parandalojmë sëmundjet kardiovaskulare?

Disa sëmundje të zemrës që kanë bazë të fortë gjenetike nuk mund të parandalohen dhe nuk mund të bëhet asgje në shfaqjen e tyre. Por te pjesa dërmuese e sëmundjeve të zemrës mund të bëhet shumë në parandalimin e tyre  dhe atë duke mos pirë duhan, duke mos pirë alkohol, duke bërë aktivitet fizik të përditshem, duek mbajtur peshë trupore normale, duke mbajtur nën kontroll yndyrnat dhe sheqerin në gjak, duke eleminuar stresin etj.

A ndikon faktori gjenetik në shfaqjen e sëmundjeve kardiovaskulare?

Gjenet kontrollojnë cdo aspekt të sistemit kardiovaskular, që nga forca dhe elasticiteti i damarëve të trupit tonë, deri te mënyra e komunikimit të qelizave në zemër. Faktori gjenetik ka një rol shumë të rëndësishëm në shfaqjen e disa sëmundjeve të zemrës. Në disa familje, sëmundjet e caktuara janë shumë më të shpeshta sesa në familje tjera. Andaj kur një anëtar i famljes diagnostikohet nga një sëmundje të zemrës, antarët e tjerë duhet të inkurajohen të kontrollojnë funksionin dhe gjendjen e sistemit kardiovaskular.

Si trajtohen problemet kardiovaskulare?

Trajtimi është i ndryshëm varësisht nga sëmundja. Trajtimi i tyre fillon që nga promovimi i një stili të shëndoshë të jetës, pastaj mund të vazhdohet me barna, trajtimi me ndërhyrje kirugjikale, trajtimi me stenta, trajtimi me implantim të aparaturave të ndryshme,  sic janë bateriat në zemër, defibrilatorët etj. Në rastet më të rënda trajtimi i vetëm mbetet transplanti i zemrës.

Youtube

Arkiva

Kategoritë