Policia e Kosovës ka dhënë më shumë detaje rreth aksidentit që ka ndodhur dje mes dy veturave në Gjilan, ku ka mbetur i vdekur një person.
Sipas njoftimit të policië, personi që ka ndërruar jetë ishte pacient i cili po transportohej me një autoambulancë me targa 01 e cila u aksidentua me një automjet të tipit Mitsubishi me targa 06.
“Policia e Kosovës me 26 maj 2021 rreth orës 11:25 është njoftuar se ka ndodhë një aksident trafiku me dëme të vogla materiale.
Nga hetimet e para në vendin e ngjarjes dyshohet se aksidenti i trafikut ka ndodhur kur automjeti i ndihmës së shpejtë me targa 01 i cili vinte nga drejtimi i Kamenicës me të arritur në hyrje të Gjilanit, të njëjtit i pret rrugën automjeti Mitsubishi me targa 06 dhe me këtë rast shkaktohet aksident trafiku me dëme të vogla në automjetet e involvuara.
Sipas personelit mjekësor që ishte duke e transportuar L. M. (1932) tani i ndjerë, në Qendrën Emergjente Gjilan me automjetin e ndihmës së shpejtë që nga fshati Dobërqan, i njëjti sipas konstatimit të personelit mjekësor nuk ka pasur puls, po ashtu sipas mjekëve kujdestar në QE Gjilan, dyshohet se personi i cili ka qenë duke u transportuar në QE Gjilan, të ketë ndërruar jetë kohë më parë para arritjes në Gjilan dhe para se të ketë ndodhur aksidenti.
Për të konstatuar shkaqet e vdekjes së të ndjerit me vendim të Prokurorisë Themelore në Gjilan, është bërë kërkesa për kryerjen e obduksionit të të ndjerit në IML Prishtinë. Rasti po hetohet nga njësitet trafikut rajonal në Gjilan”, thuhet në njoftimin e policisë.