Shkruar nga: Dr. Blerim Myftiu – Neurolog
Epilepsia paraqet një çrregullim të trurit në të cilin vjen deri te gjenerimi dhe përhapja e pakontrolluar e aktivitetit elektrik të trurit, që për pasojë manifestohet në forma të ndryshme – që prej humbjes së vetëdijes me shtangime trupore të përgjithshme deri te shtangimi i njërës presë të trupit. Janë konstatuar faktorë të ndryshëm që mund t’i kontribuojnë paraqitjes më të shpeshtë të sulmeve epileptike. Krahas pagjumësisë, infeksionit e përdorimit të parregullt të barnave, uria dhe dehidrimi paraqesin po ashtu rrezik të shtuar për paraqitjen e sulmit epileptik.
Njëri prej pyetjeve të pashmangshme është nëse pacientët me epilepsi mund të agjërojnë. Ekzistojnë studime të realizuara në këtë drejtim që dëshmojnë se agjërimi dhe rrjedhimisht ndryshimi i orarit të marrjes së barnave kontribuon në numrin më të madh të sulmeve epileptike. Studimi i bërë me 100 pacientë epileptikë që kanë agjëruar dhe përcjellja e tyre para, gjatë dhe pas Ramazanit, ka vënë në pah se rreth 46% e pacientëve kanë pasur më tepër sulme epileptike gjatë Ramazanit se sa para dhe pas tij. Pacientët që janë në politerapi (dy e më shumë barna) kanë më tepër tendencë që të kenë më shumë sulme (70% karshi 44%) se sa ata me monoterapi (një bar).
Edhe studimi tjetër i bërë në Turqi, në periudhën kur Ramazani ka rastisur në tetor dhe nëntor (ditët më të shkurtra të vitit), ka treguar tendencën e rritjes së sulmeve epileptike qoftë te pacientët me një antiepileptik, qoftë te ata me shumë barna. Shtimi i sulmeve te ata që nuk kanë ndërruar orën e marrjes së terapisë (pasi nuk ka qëlluar ta marrin atë ditën) nënkupton se nuk është e tërë arsyeja në mosmarrjen e rregullt të saj, por edhe te dehidrimi, lodhja, çrregullimi i ritmit të gjumit dhe faktorët e tjerë.
Prandaj, në dritën e të dhënave shkencore, pacientët që vuajnë nga epilepsia nuk këshillohet të qëndrojnë pa ushqim dhe lëngje kohë të gjatë. Ata së paku duhet të jenë të informuar për këto mundësi dhe vendimin për të agjëruar apo jo të marrin në bazë të këtyre informatave. /Familja Jonë