Shkruaru nga : Dr. Blerim Myftiu – Neurolog
Shpesh ndodh që përshkruaj një bar të caktuar për një sëmundje të caktuar dhe pacienti ballafaqohet me njërin prej situatave të mëposhtme:
– Shkon në barnatore dhe farmacisti apo punonjësi i barnatores i thotë: “Çka të paska dhënë kështu? Ky ilaç nuk bën për këtë sëmundje! Ky ilaç është shumë i rëndë për ty!”
– Shkon në shtëpi dhe kushëriri apo fqinji i thotë: “Këto i ka përdor motra ime. Shumë të rënda janë.”
– Futet në internet dhe gjen se ilaçi në fjalë i paska 25 efekte anësore.
Keqkuptimet e mësipërme ndodhin shpesh sidomos kur mundohemi ta trajtojmë migrenën. Ngase në trajtimin afatgjatë të migrenës përdorim barna që në shikim të parë përdoren për trajtimin e sëmundjeve të tjera, por kanë efekt të dëshmuar dhe udhëzohen ndërkombëtarisht për trajtimin edhe të migrenës. Në mesin e këtyre barnave është Amitriptilina, e cila është një ilaç antidepresiv, mirëpo qëllimi i përdorimit në migrenë nuk është depresioni, por trajtimi i migrenës. Tjetër bar është Propranololi, i cili shërben për trajtimin e aritmisë së zemrës, por prapë në migrenë qëllimi i përdorimit të tij është kokëdhembja. Shpesh ndodh të përdorim barna antiepileptike, si Valproati apo Topiramati.
Përgjegjësia e mjekut është që t’ia sqarojë pacientit secilin ilaç që përshkruan se për çka shërben. Medoemos pacienti duhet të informohet së pari për diagnozën, pastaj për vetitë e ilaçit të përshkruar, pse përzgjidhet për shembull një antiepileptik për trajtimin e migrenës dhe duhet t’ia bëjë me dije pacientit se është i vetëdijshëm plotësisht se çka po i rekomandon. Kësisoj krijohet bazamenti që të krijohet besimi dhe përshtypja e pacientit se mjeku e di arsyen e përshkrimit të një ilaçi.
Duhet mbajtur mend se mjeku ka për detyrë të informojë pacientin për gjendjen dhe të rekomandojë terapinë, por kurrsesi nuk e ka rolin e obliguesit që pacienti ta marrë terapinë. Vendimi për të marrë apo jo një terapi, për t’i ndjekur udhëzimet e mjekut i takon pacientit apo kujdestarit të tij në rastet kur ai nuk është në gjendje të vendos për veten. /Familja Jonë