Melanoma është kanceri më i rrezikshëm i lëkurës, i cili zhvillohet nga melanocitet – qeliza të lëkurës që prodhojnë melaninë (pigmenti që i jep ngjyrë lëkurës). Melanoma përveçse në lëkurë, mund të shfaqet edhe ne sy, thonj, gjenitale dhe organe të brendshme si intestini.
Shkaku kryesor për zhvillimin e melanomës nuk është i njohur, por ekspozimi ndaj rrezatimit ultraviolet (UV) rrit riskun për zhvillim të melanomës.
Risku për melanomë është më i lartë në personat nën 40 vjeç. Duke u njohur me shenjat e para të melanomës, ju mund të jeni në gjendje ta zbuloni herët atë, para se të jetë përhapur në pjesë të tjera të trupit.
Cilat janë simptomat e melanomës?
Melanoma mund të shfaqet kudo në trup. Më shpesh ato shfaqen në pjesë të trupit të cilat janë të ekspozuara në diell si shpina, këmba, krahët dhe fytyra.
Megjithatë, melanoma mund të shfaqet edhe në pjesë të cilat nuk ekspozohen në diell si thembra e këmbës apo thonjtë e duarve ose të këmbëve. Shpesh këto lokalizime janë karakteristike për persona me lëkurë të errët.
Në format më tipike shenjat e para të melanomës mund të jenë:
- Ndryshime në një nishan ekzistues
- Zhvillimi i një nishani të ri, të pigmentuar që nuk ka qenë më parë
Nishanet normale
Nishanet normale kanë në përgjithësi një ngjyrë uniforme – si kafe e lehtë, e errët ose dhe e zezë, me kufij të rregulltë me përmasa rreth 6 mm.
Shumica e njerëzve kanë rreth 10 deri ne 45 nishane në trup. Shumica e tyre shfaqen deri në moshën 50 vjeç dhe disa me kohën mund të ndryshojnë, madje dhe mund të zhduken.
Nishanet jo normale
Për t`ju ndihmuar që të identifikoni karakteristika të nishaneve jo tipike, që mund të paralajmërojnë një kancer të lëkurës, mendoni për shkronjat ABCDE:
A për Asimetrinë – shikoni për forma jo të rregullta të nishaneve
A për Asimetrinë – shikoni për forma jo të rregullta të nishaneve
B për Border (kufij) – shikoni për kufij të çrregulltë
C për Color (ngjyra) – shikoni për nishane me ngjyre jo te njëtrajtshme
D për Diametër – kontrolloni nishanet të cilat janë më të mëdha se 6 mm
E për Evolving (evolucioni ose zhvillimi) – shikoni për ndryshime të nishanit me kohën, nishane të cilat rriten ose ndryshojnë formën apo ngjyrën. Po ashtu, mund të zhvillojnë tipare të reja si irritim apo gjakosje.
Nishanet malinje mund të ndryshojnë shumë në pamje. Disa prej tyre mund të paraqesin gjithë ndryshimet e përmendura më sipër, ndërkohë që të tjerë mund të kenë vetëm një ose dy tipare.
Kur duhet të konsultoheni me një mjek?
Nëse vini re një prej tipareve të përshkruara më sipër, duhet të konsultoheni me një mjek për të kuptuar natyrën e nishanit.
Cilët janë faktorët e riskut?
Faktorët që mund të rrisin riskun për melanomë janë:
- Pigmenti i lëkurës – Të paturit më pak pigment në lëkurë (melaninë) do të thotë se jeni më pak të mbrojtur nga rrezatimi UV. Nëse jeni biond ose me flokë të kuqe, sy blu ose nëse keni tendencë të digjeni në diell, keni më shumë gjasa për zhvillim të melanomës se personat me ngjyrë lëkure të errët. Por kjo nuk do të thotë që melanoma nuk shfaqet në personat me lëkurë të errët.
- Djegiet nga dielli – Një ose më shumë djegie nga dielli rrisin riskun për melanomë.
- Ekspozimi ndaj rrezeve UV – Ekspozimi mund të vijë si pasojë e qëndrimit të gjatë në diell apo frekuentimit të solareve, të cilat rrisin riskun për melanomë.
- Numri i nishaneve në trup – më shumë se 50 nishane në trup do të thotë risk më i lartë për melanomë.
- Histori familjare me melanomë – nëse të afërmit tuaj si prindër, motra, vëllezër, fëmijë janë diagnostikuar me melanomë, risku është më i lartë për ju.
Si mund të parandalohet melanoma?
Shmangni qëndrimin në diell në orët e mesditës.
Shmangia e rrezatimit UV, kryesisht në orët kur rrezatimi është më i fortë, parandalon djegiet nga dielli dhe ul riskun për zhvillim të melanomës.
Përdorni krem mbrojtës ndaj rrezatimit UV (SPF)
Kremi mbrojtës nuk bllokon gjithë rrezatimin UV, por e redukton ndjeshëm atë. Rekomandohet përdorimi i një kremi mbrojtës me SPF 30 ose me shumë.
Shmangni frekuentimin e solareve
Ashtu si ekspozimi në diell edhe frekuentimi i solareve rrit riskun për zhvillim të melanomës.
Njihuni me lekurën tuaj
Vlerësoni lëkurën tuaj rregullisht. Shikoni për ndryshime në nishanet ekzistues ose nishane të reja.