Temperatura tek fëmijët mund të jetë një ndër simptomat më shqetësuese për prindërit. Prindërit duhet ta dinë që temperatura nuk është një sëmundje por një simptomë e një sëmundje eventuale.
Temperatura mesatare e trupit të një fëmije sipas moshës është mesatarisht 37°C. Temperatura e trupit nuk është kurrë fikse, ajo mundet në çdo moment të ditës të ketë luhatje mandje mund të ndryshon edhe mbi +/- 1° C.
Për temperaturë të lartë bëhet fjalë, kur temperatura e trupit te foshnjat nën 3 muaj e tejkalon 38°C dhe të fëmijët më të vjetër e tejkalon 38.5°C.
Dr.Lendrit Spahiu ka përgatitur një material në të cilin na informon për shkaqet e ndryshme që shkaktojnë temperaturë të lartë.
Ekzistojnë shkaqe të ndryshme që shkaktojnë temperaturë të lartë.
Shkaku më i shpeshtë i temperaturës në moshën e fëmijërisë janë infeksionet, të cilat shkaktohen nga: viruset sezonale, bakteriet, pastaj dalja e dhëmbëve, reaksionet alergjike, vaksinimet dhe shkaqe tjera të rralla.
Ndërsa më rrallë, temperatura në fëmijë të vegjël mund të jetë si pasojë e pneumonisë, infeksioneve urinare, infeksioneve të veshit ose infeksione më të rënda në gjak apo si pasojë e meningjitit.
Edhe për mjekët nganjeherë është e vështirë të kuptojnë sidomos te i porsalinduri, a ka një infeksion viral të thjeshtë apo ka një infeksion më serioz (si një infeksion urinar, pneumoni, sepsë apo meningjit). Për këtë arsye mjekët mund të kërkojnë teste të tjera si: analiza gjaku (shpesh nga gjaku kapilar) apo urine ose grafi të mushkërisë etj. për të zbuluar shkakun e saktë të infeksionit.
Temperatura e lartë siç e përshkruam me lartë nuk është sëmundje, por është një simptomë apo shenjë e imunitetit mbrojtës të trupit. Temperatura lehtë e ngritur nuk është e rrezikshme dhe lartësia e temperaturës nuk ka varësi me seriozitetin e sëmundjes aktuale.
Sa duhet të jetë temperatura normale e fëmiut tim?
Temperatura trupore ndryshon dhe atë varësisht nga vendi ku matet temperatura.
Metoda Vlerat e temperaturës normale
Rektale (në zorrën e trashë) 36.6°C deri 38°C
Gojë 35.5°C deri 37.5°C
Aksilare (nën sqetull) 36.5°C deri 37.5°C
Vesh 35.8°C deri 38°C
Ku duhet të matet temperatura, varësisht nga mosha e fëmijës?
1. Prej lindjes deri në moshën 3 mujore – temperatura duhet të matet në mënyrë:
REKTALE (në zorrën e trashë).
2. Prej moshës 3 mujore deri në moshën 3 vjeqare – temperatura mund të matet ne:
BALLË, NËN SQETULL, VESH*, GOJË (BIBERON TERMOMETËR), REKTALE.
* Mos përdorni një termometër dixhital të veshit derisa fëmija juaj të mos jetë të paktën 6 muajsh.
3. Prej moshës 3 vjeqare e më të vjetër – temperatura mund të matet në:
GOJË, VESH, BALLË, NËN SQETULL.
Akademia Amerikane e Pediatrisë rekomandon vetëm përdorimin e termometrave dixhitalë në fëmijë. Kjo për arsye se termometrat me merkur mund t`i ekspozojnë fëmijët ndaj helmimit me merkur (zhivë) në rast të dëmtimit të tyre.
Temperatura e lartë nuk është as e dëmshme e as e rrezikshme nese gjendja e përgjithshme e fëmijës është e mirë por është shenjë, që trupi po mbrohet ndaj infektisionit eventual.
Kur fëmija juaj është në një gjendje të përgjithshme të mirë (është aktiv, ka dëshirë të luaj, është me disponim dhe ushqehet mirë) ju nuk duheni t’ia uleni gjithsesi temperaturën e lartë, por duhet ta përcielleni gjendjen e fëmijës.
Temperatura e lartë mund të çoj edhe deri te ndikimi i gjendjes së përgjithshme të fëmijës tuaj.
Kur fëmija juaj nga temperatura e lartë e cila nganjëherë është e shoqëruar me ethe, ndjen; lodhje, plogështi, i shqetësuar, pinë pak, atëherë ju duhet të:
– Bëni banjë me ujë të vakët (gjithmonë kontrolloni temperaturën e ujit ë para larjes së fëmijës).
– Zhvisheni fëmijën tuaj dhe ta visheni me rroba të holla apo mbuloni lehtë.
– Temperaturat e larta mund të çojnë deri te humbja e lëngjeve, për këtë arsye jepni sa me shpesh sasi të vogla lëngjesh si: qumësht gjiri ose në mungesë të tij, qumësht formule, ujë, nelit (ORS) apo çaj kamomile.
– Jepni fëmijëve nën 6 muaj Paracetamol në formë të qirinjve apo sirup në sasi të llogaritur sipas kilogrameve ose sipas moshës apo sipas udhëzimeve të paketimit
Nëse fëmija është më i madh se 6 muaj mund t`i jepni fëmijës Paracetamol të kombinuar me Ibuprofen.
– Përcielleni gjendjen: temperatura do të duhen të ulet dhe gjendja e përgjithshme e fëmijës të përmirësohet.
Nëse fëmija juaj i ka simptomat vijuese:
– Fëmija juaj është nën 3 muaj moshë dhe ka temperature deri ose mbi 38°Celsius.
– Fëmija juaj ka dhimbje të kokës, qafë të shtanguar dhe i pengon drita.
– Fëmija juaj vjellë vazhdimisht dhe nuk pranon të pin
– Fëmija juaj qan pa lot dhe nuk e lagë pelenen.
– Fëmija juaj ka vështirësi në frymëmarrje ose frymë zënie.
– Fëmija juaj bëhet gjithnjë e më tepër apatik, letargjik.
– Fëmija nuk bëhet më mirë edhe përkundër dhënies së rregullt të antipiretikëve.
– Fëmija juaj ka më tepër se 2 ditë temperaturë të lartë edhe përkundër që ju i jepni çdo 6 orë Paracetamol.
– Fëmija juaj ka ngërçe – konvulsione febrile.
Atëherë ju duhet ta kontaktoni menjëherë mjekun e fëmijës tuaj”.
Material i përgatitur nga: Dr. Lendrit Spahiu, mjek i fëmijëve dhe adoleshentëve në Olive Medical & Laboratory. /FamiljaJonë/