Pre, Nën 29, 2024
Banner Top
Banner Top
ÇKA DO TË THOTË MPIRJA E SHPUTAVE NË DIABET?

Shkruar nga : Blerim Myftiu – Neurolog

Simptomat dhe shenjat e polineuropatisë diabetike janë të shumëllojshme. Pacientët më së shpeshti ankohen për mpirje të shputave dhe të shuplakave apo djegie, therje, dhembje, elektrizim, kruarje të tyre. Ankesat sensitive mund të shoqërohen edhe me dobësimin e fuqisë së muskujve të caktuar, më së shpeshti ngritja e gishtit të madh të shputës, ngritja në përgjithësi e shputës apo vështirësi në ngjitjen e shkallëve. Të shpeshta janë edhe ankesat që kanë të bëjnë me funksionet autonome të cilat janë jashtë vullnetit të individëve, për shembull: vështirësi në gëlltitje, dhembje barku, mundimi, pamundësia e kontrollimit të urinës dhe të nevojës së madhe.

Në pacientët me diabet dhe polineuropatinë shoqëruese, nuk është e mjaftueshme matja e vetëm nivelit të sheqerit në gjak. Ngase, ky nivel ndryshon gjatë ditës dhe nuk është tregues i sigurt për nivelin e rregullimit të sheqerit në qarkullim. Hemoglobina A1c (HbA1c) është test i cili realizohet nga mostra e gjakut dhe jep pasqyrë të qartë për efektin e barnave antidiabetike ndaj rregullimit të nivelit të sheqerit në gjak. Andaj, assesi nuk duhet të mjaftohemi me shpjegimin se “niveli i sheqerit në gjakun tim është normal”! HbA1c ka shumë gjasa të jetë e lartë në pacientët me polineuropati diabetike – gjë që tregon se terapia e tyre aktuale kundër diabetit është e papërshtatshme apo e pamjaftueshme.

Pas dyshimit në polineuropati në bazë të ankesave të pacientit dhe gjetjeve tona gjatë ekzaminimit objektiv dhe laboratorik, realizohet elektroneuromiografia apo ENMG-ja, e cila paraqet ekzaminimin përmes të cilit përcaktohet në mënyrë përfundimtare diagnoza e polineuropatisë.

Trajtimi i simptomave të polineuropatisë diabetike varet nga niveli i rregullimit të kënaqshëm të nivelit të sheqerit në gjak. Sa më i mirë të jetë i rregulluar diabeti, aq më të mëdha janë gjasat për parandalimin e polineuropatisë apo për zbutjen e saj atëherë kur tanimë është zhvilluar. Rrjedhimisht, nevojitet bashkëpunim dhe mirkëkuptim i ngushtë ndërmjet neurologut dhe endokrinologut për adresimin sa më të mirë të gjendjes.

Jashtë kontrollit të sheqerit në gjak, ekzistojnë një mori opsionesh që kanë aprovim ndërkombëtar për trajtimin e simptomave të ndryshme (djegie, mpirje, elektrizim, dhembje) të polineuropatisë. Në këtë drejtim mund të përmenden barnat antiepileptike (gabapentina, karbamazepina, pregabalina), antidepresantët treciklikë (amitriptilina), antidepresantët e radhës SNRI (duloksetina), antidepresantët e tipit SSRI (citaloprami, paroksetina), antiaritmikët (lidokaina) dhe shumë të tjerë që janë madje në fazën e hulumtimit. Kompleksi i vitaminave B, vitamina B6 dhe B12 ndaras, acidi alfa-lipoik, omega 3 janë disa opsione suplementare që shpesh përdoren në praktikën e përditshme për qetësimin e simptomave.

Mirëpo, si në shumë sëmundje të tjera kronike dhe komplikimet e tyre, kujdesi maksimal për rregullimin sa më të mirë të nivelit të sheqerit në gjak në fazën e parë të diabetit, është masa më e suksesshme parandaluese e zhvillimit të polineuropatisë.

Youtube

Arkiva

Kategoritë