Kur njerëzit diagnostikohen për të parën herë me kancer, me gjasa kanë dhjetëra, në mos qindra pyetje për të bërë. Por, kur ulen në zyrën e mjekut, është lehtë të harrohet çdo gjë që është dashur të pyetet mjeku rreth trajtimit të kancerit.
Andaj, krijoni disa pika dhe shkoni i përgatitur tek specialisti, shkruan në faqen e Institutit të kancerit, Boston, SHBA, përcjell Telegrafi.
Për ta bërë këtë më të lehtë, këtu do të ju paraqesim një listë të pyetjeve të cilat mund t’ia parashtroni mjekut tuaj rreth gjendjes dhe trajtimit të kancerit:
- Çfarë lloj kanceri kam? Në çfarë shkalle është?
- Sa i rëndë është kanceri tek unë?
- Çfarë mund të jenë parashikimet?
- Cilat janë zgjidhjet e mia për trajtimin e këtij kanceri?
- A janë këto trajtime të dëshmuara ose eksperimentuara?
- A janë këto trajtime të përfshira në sigurimin shëndetësor?
- Çfarë mund të pres nga trajtimi im i kancerit? Sa mund të zgjatë kjo? Si do të ndjehem?
- Çfarë efektesh anësore ose komplikimesh mund të kem nga trajtimi?
- Si plotësim i mjekimit të kancerit, a do të kem nevojë edhe për barna tjera? Nëse po, çfarë dhe për sa kohë?
- A duhet të bëj ndryshime në ushqimin ose mënyrën e jetës time para se të filloj mjekimin e kancerit?
Ju po ashtu do të doni ta pyetni mjekun tuaj të kancerit rreth kualifikimeve të tij/saj. Kjo është një provë e mirë: A është ky doktor edhe personi i duhur për t’ju mjekuar juve?
Qe disa pyetje që duhet ta pyesni para se të bëheni pacient i mjekut në trajtimin e kancerit:
- Sa përvojë keni në trajtimin e pacientëve me këtë lloj të kancerit?
- Sa njerëz me kancerin që e kam unë keni trajtuar në vitin e fundit?
- A jeni të licencuar? Nëse po, në çfarë fushe specialistike ose subspecialistike?
- A keni kualifikime tjera të lidhura me këtë fushë?
- A bashkëpunoni afërsisht edhe me specialistë tjerë të kësaj fushe dhe punëtorë tjerë shëndetësorë, të cilët mund të jenë pjesë e ekipit që do të mjekojnë kancerin tek unë?
- Me cilat spitale punoni?
- A janë eksperimentet klinike të pranishme në këtë qendër mjekësore? Nëse jo, a janë të pranishme në këtë zonë?
- A mund të më rekomandoni ndonjë mjek tjetër për zgjidhje sekondare?
Mund ta keni të vështirë ta pyesni mjekun tuaj rreth përvojës por, mjekët presin pyetje të tilla dhe madje i mirëpresin. Mjekët dëshirojnë që pacientët të ndjehen të qetë dhe të sigurt në kujdesin e tyre, jo të frikësuar.
Si të përfitoni më së shumti nga takimet gjatë vizitës mjekësore?
Gjatë takimeve të para me mjekun tuaj të kancerit, do të jetë vështirë të gjurmoni të gjitha këto detaje. Do të jeni të vërshuar nga informatat: emri i mjekut, medikamentet, mjekimi i kancerit, dhe pashmangshmërisht, një sasi e bollshme e termeve mjekësore.
Ja disa mënyra se si t’i bëni vizitat tek mjeku sa të mundeni më të dobishme.
- Mbani shënime. Gjithmonë shkoni në vizitë me bllok shënimesh dhe letra për t’i shkruar gjërat. Madje, nëse nuk arrini t’i shënoni të gjitha, mund të merrni një incizues, ashtu që të mund të dëgjoni të gjithë bisedën dhe këshillat sërish në shtëpinë tuaj. Kështu këshillojnë ekspertët amerikan.
- Merrni një partner. Me siguri një mik ose një i afërt mund të jetë mbështetje morale gjatë bisedës së tensionuar. Por, ai/ajo mund të luajë edhe një rol të rëndësishëm praktik. Shoqëruesi i juaj mund të mbajë mend detajet, të cilat thjesht kanë qenë mjaft të pakapshme për ju, ose mund të ju nxitë të bëni pyetje të rëndësishme të cilat i keni harruar.
- Merr informata të cilat do t’i përdorësh në shtëpi. Në fund të takimit, shih nëse mjeku juaj ka ndonjë literaturë rreth kancerit ose trajtimit të kancerit, të cilin do t’ua rekomandojë. Të kesh diçka që mund ta lexosh në shtëpi, kur jeni jashtë atmosferës stresuese të zyrës së mjekut, mund të jetë jashtëzakonisht e dobishme.
- Kërko numrin e telefonit. Është më se e sigurt: kur të ktheheni në shtëpi, do të mendoni edhe për shumë pyetje të tjera të cilat keni dëshiruar ta pyesni mjekun tuaj rreth mjekimit të kancerit, por nuk e keni bërë. Andaj, gjithmonë kërkoni nga mjeku kartëvizitën e tij. Gjeni mënyrën më të lehtë se si mund të arrini në kontakt me mjekun, ose infermieren e zyrës së onkologjisë, kur të keni nevojë për pyetje tjera shtesë.