Pre, Nën 29, 2024
Banner Top
Banner Top
Ankthi dhe depresioni, problemet më të shpeshta në pandemi

Në qendrën për shëndetin mendor në Prishtinë, puna gjatë pandemisë COVID-19 ka ndryshuar. Neuropsikiatri Sami Rexhepi, drejtor i kësaj qendre tha për Radio Evropa e lirë se gjatë gjithë kohës u kanë ofruar ndihmë njerëzve përmes telefonit, ku janë angazhuar gjashtë ekipe psikiatrish, të cilët kanë punar nga katër orë çdo ditë.

Në secilën ekip, ndihmë kanë kërkuar rreth 15 persona.Edhe sot, thotë Rexhepi nevoja për ndihmë sa i përket shëndetit mendor po vazhdon të jetë e lartë.

“Kemi punuar dhe po vazhdojmë të punojmë çdo ditë. Çrregullimi i gjumit, ankthi, depresioni, mungesa e ilaçeve të klientëve tonë, kanë disa prej telasheve më të shpeshta që ne i kemi identifikuar që nga muaji mars”, thotë Rexhepi.

“Pastaj frika nga virusi, për shkak të informatave të shumta që i kanë marrë e që nuk kanë mund që t’i përballojnë njerëzit, e që rrjedhimisht iu ka shkaktuar ankth e depresion”, shton ai.

Genta një qytetare nga Prishtina, studente e Fakultetit të Edukimit në Universitetin e Prishtinës, tha se pasojat e pandemisë po i vëren si te vetja po ashtu edhe te familjarët e saj.

Ajo thotë se i është shfaqur pagjumësia, problem të cilin nuk e kishte pasur më parë.

“Kohëve të fundit jam rënduar shumë sa i përket gjendjes emocionale, psikologjike. Ndoshta ka bërë që dëgjimi i lajmeve, por edhe situata ekonomike e financiare ka ndikuar që shëndeti mendor në këtë rast të luhatet”.

“Ajo çka unë po vërej te vetja është një pagjumësia e cila më është shfaqur. Gjithashtu përveç pagjumësisë, edhe niveli i lumturisë ka rënë jashtëzakonisht shumë. Kam edhe të afërm që kanë rënë në depresion gjatë kësaj kohe, sepse ka të tillë që i kanë humbur punën. Pra efektet e pandemisë po shihen çdo ditë e më shumë në popullatë, sa i përket shëndetit mendor”, tha ajo.Gjatë muajit mars, kur në Kosovë u aplikuan masa të izolimit, 200 psikologë nga e gjithë Kosova u lajmëruan për të ofruar kontributin e tyre vullnetarë, për të ndihmuar qytetarët, përmes një linje telefonike falas.

Kjo linjë e ndihmës është mundësuar falë bashkëpunimit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Departamentit të Psikologjisë në Universitetin e Prishtinës, e që po vazhdon edhe sot.

Aty ndihmë psikologjike po del të kenë kërkuar mbi 2 mijë persona të moshave të ndryshme, kryesisht për shkak të ankthit, stresit dhe problemeve emocionale e familjare që kanë kaluar që nga shfaqja e pandemisë.

Fitim Uka, psikolog klinik, i tha Radios Evropa e Lirë, se sfida e ankthit si dhe e depresionit, po vazhdon te jetë e pranishme në masë të madhe, ndonëse tashmë njerëzit nuk janë të izoluar totalisht.

“Ka pasur rritje të numrit të rasteve që kanë përjetuar shqetësime të ankthit, depresionit dhe kjo ka qenë e shprehur më shumë në kohën e izolimit. Por, edhe tash pas disa muajsh njerëzit po tregojnë simptoma të ankthit në veçanti, pasi që rriten shqetësimet në lidhje me atë se kur ka do të përfundojë pandemia, gjithashtu rriten shqetësimet te familjarët e tjerë gjithashtu, andaj është sfiduese”, tha ai.

Youtube

Arkiva

Kategoritë