Administrimi i kohës është aspekti më i vështirë i përshtatjes me njerëzit si në punë ashtu edhe jashtë saj. Shumë prej nesh kanë probleme në administrimin e kohës, prandaj veprimi më i shpeshtë i ndërmarrë nga ne në raste të tilla është shtyerja e ndonjë detyre për më vonë.
Diçka që duhet pasur parasysh është se koha është e njëjtë për nga sasia për të gjithë, mirëpo jo të gjithë e shfrytëzojmë atë me efiçiencë. Menaxhimi i mirë i kohës rezulton me një përshtatje më të mirë të individit në shoqëri si dhe një jetë më me pak stres.
Si hap i parë drejt administrimit të mirë të kohës është mbajtja e shënimeve. Kjo teknikë ndihmon që të keni të qartë se sa kohë shpenzoni në secilin aktivitet, për rrjedhojë të mendoni nëse duhet të largoni diçka të padobishme nga agjenda juaj e përditshme.
Përveç mbajtjes së shënimeve, e nevojshme është të përcaktohemi se cilat janë qëllimet parësore tonat. Alan Lakein në librin e tij “Si të arrini ta kontrolloni kohën dhe jetën tuaj” vë në pah se njerëzit e suksesshëm janë ata që bëjnë një listë të qëllimeve ditore.
Pas qëllimeve, duhet t’i përcaktojmë sjelljet tona që të arrijmë deri tek ato. Ne duhet t’i themi “jo” çfarëdo aktiviteti i cili na çon kohën dëm dhe nuk është në listë të agjendës sonë ditore dhe të mënjanohemi nga ngarkimi i përgjegjësive të tepërta për veten tonë.
Kur jemi pranë një detyre të vështirë, jemi të prirur që të mos fillojmë të punojmë në të deri në momentin kur koha jonë fillon të kufizohet, për shkak të frikës që kemi për ta kryer atë detyrë.
Psikologu Lakein në këto raste propozon modelin e “djathit të Zvicrës”, ashtu që puna të ndahet në pjesë të vogla. Kur bëhet kjo ndarje, detyra fillimisht zhvillohet në pjesë të vogla, për t’u përmbyllur në fund si pako përfundimtare.
Kjo teknikë, përveç të tjerash, ndihmon që vëmendja jonë të jetë në gjëra të rëndësishme për ne dhe na lehtëson dukshëm procesin e punës.
Zbatimi i këtyrë këshillave në përpikmëri e bën shumë më të lehtë punën drejt suksesit. Përderisa ekziston një kornizë e veprimeve ditore, edhe puna është shumë më e thjeshtë dhe koha e shpenzuar është tërësisht e arsyeshme./FamiljaJone











