Mër, Kor 1, 2026
Banner Top
Banner Top
Pse nxënësit nuk janë të sukseshëm në mësim?

Mos suksesi i nxënësve në procesin mësimor mund të jetë një indikacion i qartë se diçka nuk shkon në rregull me të. Telashet të cilat mund të çojnë deri te joefikasiteti në mësim janë të ndryshme, por një vështirësi në vete janë edhe problemet të cilat nuk burojnë nga paaftësia mendore e nxënësit për ta kryer një detyrë.

Kur flitet për vështirësitë në të nxënë, iu referohet problemeve që fëmijët hasin në materien mësimore. Disa prej vështirësive në të nxënë janë: disleksia, diskalkulia, dispraksia dhe disgrafia.

E para, pra disleksia, paraqet vështirësinë e nxënësit në të lexuar. Fëmijët me disleksi nuk arrijnë dot të lexojnë rrjedhshëm dhe ndonjëherë nuk e kuptojnë atë që e lexojnë. Telashet që hasin gjatë procesit të leximit te këta fëmijë lidhen me mos arritjen e shqiptimit të saktë të shkronjave, ashtu që nganjëherë i ngatërrojnë shkronjat që në dukje janë të përafërta (p.sh. q dhe p).

Diskalkulia lidhet me paaftësinë e fëmijës në veprime matematike. Nxënësit me këtë problem e kanë të vështirë t’i kuptojnë konceptet që lidhen me numrin dhe funksionet që duhet kryer për një operacion matematikor. Me këtë kategori fëmijësh është e preferueshme që lënda e matematikës të shpjegohet me mjete konkrete në mënyrë që operacionet matematikore të jenë të lidhshme me jetën e përditshme (p.sh. me molla ose me ndonjë send tjetër të njohur për ta).

Dispraksia ka të bëjë me pamundësinë e koordinimit. Fëmijët më këtë problem kanë probleme me lidhjen e këpucëve ose përdorimin e pullave ose patentit. Ky problem derivon nga mos arritja e përdorimit në mënyrën e duhur të muskujve fine (të vogël, p.sh. muskujt e dorës).

Disgrafia është mos arritja për të shkruar. Shkrimi te këta fëmijë është i vështirë. Ata hasin probleme për ta hedhur në letër idenë e tyre, janë të ngadalshëm në procesin e të shkruarit dhe në disa raste nuk kanë shkrim të lexueshëm.

Të gjitha këto telashe në mësim duhet të dallohen shpejt nga mësuesit, në mënyrë që të ndërrohet teknika e punës me ta. Në raste të tilla preferohet që lënda në të cilën ka problem nxënësi të ketë lidhshmëri me një tjetër që ai e njeh mirë. Për shembull, nëse nxënësi ka probleme në shqiptimin e tingujve, është mirë që t’iu lëshohet përmes CD-së ose ndonjë forme tjetër mënyra e saktë e shqiptimit, ashtu që pasi ta dëgjojë me zë ai do të arrijë ta korrigjojë vetën më shpesh.

Shkaqet se nga lindin këto probleme nuk dihen me saktësi, por mendohet se 90 për qind e tyre janë gjenetike, ndërsa në 10% të rasteve fitohen gradualisht.

Është e domosdoshme të theksohet se vështirësitë në të nxënë dallojnë nga problemet mentale që mund t’i ketë nxënësi. Te rasti i parë fëmijët kanë sjellje krejtësisht normale, gjë që nuk mund të thuhet për fëmijët me retardime mentale.

Youtube

Arkiva

Kategoritë