Shkruar nga Dr. Fahri Beqa
Nga 404 raste të testuara, 70% pozitiv me Coronavirus!!
Spitalet plot, edhe shumë pak vende të lira. Testimi por edhe pranimi në spital vetëm nëse njeh dikë për të intervenuar..
Mbi 800 mjekë dhe infermierë të infektuar…
Kosova tanimë prin në Europë për nga numri i rasteve të reja në 2 javët e fundit për 100 mijë banorë.
Numri i të vdekurve për 1 milion banorë tanimë e ka kaluar shifrën magjike 100, duke i kaluar kështu shumë shtete europiane.
Ndërsa sipas ministrit ‘situata është nën kontrollë’.
Nëse kjo situatë është nën kontrollë, atëherë mundeni me paramendu se çka është situatë jashtë kontrollit për ministrin Zemaj…
Duhet të veprohet shpejtë në të gjitha anët, si në parandalim si në zgjerim të kapaciteteve infrastrukturore shëndetësore (për testim dhe mjekim), poashtu edhe në trajnim profesional për mjekim intensiv, por edhe mbështetje konkrete financiare për personelin shëndetësor.
Një infermiere 28-vjeçare gjermane (Nina Böhmer) në kohën (muajt mars e prill) kur i aplaudohej dhe shpallej hero personeli shëndetësor në luftë me pandeminë, i ishte drejtuar në FB ministrit gjerman të shëndetësisë Jens Spahn dhe opinionit gjerman me fjalët “aplauzin futeni në prapanicën tuaj, sepse as nuk na ndihmon në punën e përditshme si infermierë dhe as nuk na zgjidh asnjë problem në aspekt afatgjatë, neve na duhet mbështetje konkrete”. Mesazhi i saj u përkrah pastaj nga qindra e mijëra punëtorë shëndetësor, u aktivizuan sindikatat e punëtorëve shëndetësor – rezultati në fund 1500 euro bonus të menjëhershëm dhe të patatueshëm për secilin infermier, rritje e masave të sigurisë në punë, dhe ngritje graduale e pagave të tyre në një periudhë afatgjatë.
Duhet të veprohet tani që mos të shohim shtretër me pacientë koridoreve të klinikave…
Përndryshe kollapsi i sistemit shëndetësor është afër dhe i pashmangshëm…
Do të ishte e tmerrshme nëse përkeqësohet edhe më tutje situata dhe shohim skena si të një shteti europian (nuk po e përmend emrin e tij) në muajt mars e prill…
Shëndet.