Hën, Qer 29, 2026
Banner Top
Banner Top
KOMBINIMI ASPIRIN-TICAGRELOR?

Shkruar nga Dr. Blerim Myftiu – Neurolog

Kombinimi i Aspirinës dhe Ticagrelorit është treguar më i efikas se sa vetëm Aspirina për parandalimin e infarktit të përsëritur të trurit, sulmit kalimtar iskemik (TIA) dhe vdekjes. Megjithatë, përdorimi i përbashkët i këtyre dy antiagreguesve (holluesve të gjakut) është shoqëruar me më tepër gjakderdhje.

Sulmi kalimtar iskemik është gjendje në të cilën simptoma të ndryshme neurologjike paraqiten për një kohë, prej disa minutash deri në disa orësh (më pak se 24 orë) dhe tërhiqen pa lënë pasoja neurologjike. Në mesin e këtyre simptomave më të rëndësishmet janë humbja e të pamurit në njërin sy, mpirja apo humbja e fuqisë motorike (paraliza) në njërën gjysmë të trupit, marramendja e vjellja, humbja e të folurit apo e aftësisë së të kuptuarit të tjetrit. Paraqitja dhe largimi i këtyre simptomave duhet të shërbejë si PARALAJMËRIM i sulmit të mundshëm në tru. Duhet me shpejtësi të ekzaminohen arteriet e qafës dhe gjendja e zemrës në mënyrë që të gjendet burimi i mundshëm i sulmit të përkohshëm iskemik në tru.

Aspirina është antiagreguesi kryesor i cili përdoret kur prapa sulmit kalimtar iskemik apo infarktit në tru ekziston burimi aterotrombotik, përkatësisht arteroskleroza e arterieve të mëdha dhe të vogla të trurit. Përdorimi i saj i vetëm nuk është parandalues komplet i përsëritjes së problemit, prandaj ndihet nevoja e kombinimit të saj me një bar me mekanizëm të ngjashëm të veprimit.

Studimi specifik ka përfshirë 11016 pacientë në 28 shtete të ndryshme, me përfshirje të 414 qendrave mjekësore. Gjysma e pacientëve kanë marrë Aspirinë + Ticagrelor, kurse gjysma tjetër vetëm Aspirinë. Në periudhën 30-ditore të përcjelljes (kur incidenca e infarktit të përsëritur apo TIA-s është më e lartë), grupi i kombinimit ka pasur më pak ngjarje të tilla, por paraqitja e gjakderdhjes së përgjithshme dhe asaj fatale brendatrunore ka qenë e më e shpeshtë. Mirëpo, marrë parasysh dobinë e përgjithshme të kombinimit, rekomandimi i studimit dhe ajo statistikore është që dobia e përdorimit të kombinuar të barnave e tejkalon rrezikun e efektit anësor. /Familja Jone

Youtube

Arkiva

Kategoritë