Më lejoni që në fillim të ju shpreh falënderimin e sinqertë për punën tuaj të palodhshme ndër vite në sektorin e shëndetësisë dhe në veçanti gjatë kohës së pandemisë Covid-19, si rezultat i të cilit angazhim, Kosova renditet në mesin e vendeve me vdekshmërinë më të vogël nga kjo sëmundje.
Të arrihen suksese përballë një pandemie që ka gjunjëzuar edhe sisteme shëndetësore shumë të avancuara, me një sistem shëndetësor si ky i joni që është i brishtë dhe me zbrazëtira të shumta është një sukses i madh, dhe bart mbi vete vulën e përkushtimit profesional të gjitha niveleve të kujdesit shëndetësor, të udhëhequr nga motivi i lartë, profesionalizimi e përkushtimi për ta ndihmuar vendin.
Ndonëse të dhënat që në baza ditore sigurohen nga IKSHPK na tregojnë që jemi në një kohë kur duhet ta mbajmë në nivele të larta angazhimin dhe kujdesin për të menaxhuar deri në fund me sukses me Covid-19, ne mendojmë se përtej kësaj, është koha që duke nxjerrë edhe mësime të dobishme nga mënyra qysh ka funksionuar deri tash shëndetësia në Kosovë, por edhe nga pandemia, që bashkëpunimin MSh me të tjerët ta kalojmë në një nivel tjetër.
Kur flasim për këtë nivel, mendojmë në angazhimin e secilit potencial për të kontribuar brenda përgjegjësive të veta për një sistem shëndetësor më efikas, me hallka të ndërlidhura mirë dhe në të cilin secili ndihet aksionar për përmirësimin e shëndetit të popullatës.
Si Ministri e Shëndetësisë, do të jemi të hapur që prej ditës së parë të mandatit që ne të fokusohemi në rolin politikë-bërës e rregullator të Ministrisë, ndërsa për çështjet profesionale t’i dëgjojmë ekspertët e fushës.
Për këtë qëllim, ky takim është një moment i mirë që të mendojmë për krijimin e një trupi këshillëdhënës për Ministrin e Shëndetësisë, i cili do të jetë në gjendje që në secilën situatë dhe në vazhdimësi, konform situatave dhe zhvillimeve. T’i ofrojë Ministrit në kohë reale ide, propozime dhe zgjidhje praktike për të bërë zgjidhjet e duhura.
Pjesë e këtij trupi dëshiroj që të jenë të gjitha institucionet dhe mekanizmat që ju i përfaqësoni duke ofruar dëshmi të bazuara për secilin propozim apo zgjidhje që do t’i propozohet Ministrit në të ardhmen.
Me që ne këtë kohë, ne ende e kemi aktuale çështjen e Covid-19, do të ishte mirë që të fillojmë që nga kjo temë, duke krijuar një draft dokument me propozime të ndryshme për menaxhimin e mëtejme të Covid-19, duke marrë parasysh, siç e theksova më parë edhe mësimet e nxjerra deri më tani, eksperiencën e vendeve të tjera, pore dhe duke provuar që gjërat t’i parashikojmë dhe t’u paraprijmë me përgatitje konkrete.
Sot nuk kemi nevojë për konformitet e as vetëkënaqësi, por kemi nevojë për marrje të përgjegjësive të përbashkëta, duke eliminuar barrierat e panevojshme në funksion të gjetjes së zgjidhjeve praktike për të mirën e shëndetit të popullatës.
Unë, po bëj këtë hap, me qëllim që, qysh nga fillimi i mandatit, të ju bëj ta kuptoni se Ministria e Shëndetësisë do të jetë në funksion të secilit që ka dijen, përvojën dhe gatishmërinë për të kontribuar.
Prandaj, pres me padurim që të bashkëpunojmë dhe të japim secili kontributin tonë për çka edhe jemi të ngarkuar me përgjegjësi.














