Ka shkuar në 104 numri i të prekurve në Shqipëri nga koronavirusi.
Në 24 orët e fundit janë konfirmuar 15 raste të reja me COVID-19, duke e çuar në 104 numrin e të prekurve.
Në komunikimin e përditshëm për publikun, Ministrja e Shëndetësisë në Shqipëri, Ogerta Manastirliu konfirmoi se harta e prekjes nga koronavirusi është zgjeruar dhe bëri apel për qytetarët të respektojnë masat e distancimit social.
“Vetëm në 24 orët e fundit janë konfirmuar 15 raste të reja pozitive, në 45 testime të kryera. Harta e të prekurve nga COVID-19 shtrihet tashmë edhe në Vlorë, Shkodër dhe zgjerohet në Tiranë, Durrës, përveç rasteve të zbuluar për të cilat po kryhet hetimi epidemiologjik, si Lushnja, Kavaja, Fieri, Rrogozhina ku po punohet pa u ndalur nga epidemiologët për gjurmimin e kontakteve të rasteve pozitive dhe ndërprerjen e transmetimit të infeksionit. Kemi dhe një lajm të mirë në këto ditë të ngarkuara, sot kanë lënë shërbimin infektiv dhe 2 pacientë të tjerë, duke e çuar në 5 numrin e të shëruarve”, bëri të ditur Manastirliu.
Shefja e Departamentit të Parandalimit dhe Kontrollit të Sëmundjeve Infektive në ISHP, Silva Bino, informoi në detaje për situatën e COVID-19 në Shqipëri.
Janë shënuar dy humbje jete në 24 orët e fundit:
Një 71 vjeçar me disa sëmundje bashkëshoqëruese dhe një 43 vjeçar, i cili kishte obezitet.
Shkon në katër totali i qytetarëve që kanë humbur jetën, të prekur me COVID-19.
Janë shëruar pesë pacientë të shtruar në spitalin, te cilët kanë rezultuar me të dy testet të negativizuara për COVID-19.
Deri në këto momente testuar 856 janë raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 104 raste.
Ndërsa shpërndarja gjeografike e rasteve pozitive, është si vijon:
•
Tiranë 68 qytetarë
• Durrës shtatë qytetarë
• Lushnje dy qytetarë
• Elbasan dy qytetarë
• Fier dymbëdhjetë qytetarë
• Rrogozhinë dy qytetarë
• Kavajë tre qytetarë
• Korcë tre qytetarë
• Vlorë katër qytetarë
• Shkodër një qytetarë
Ju
informojmë se në spitalin Infektiv ndodhen aktualisht 49 pacientë të shtruar. 3
prej tyre janë në terapi intensive. Ndërsa pjesa tjetër e të shtruarve në
pavion janë në gjendje të stabilizuar deri në këto momente.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i drejtohet edhe një herë me një
lutje qytetarëve: Mos shkoni menjëherë në spital!
Ministria ka vënë në dispozicion një linjë të gjelbër FALAS 0800 40 40 për çdo qytetar që kërkon informacon apo këshilla në lidhje me COVID-19. Kjo linjë do të shërbejë edhe për pacientët kronikë që të marrin informacion se si të lidhen me mjekun e familjes, se si mund të përfitojnë barnat me rimbursim dhe për cdo shqetësim tjetër që ata kanë.
Por është e rëndësishme të sqarohet se: Nëse qytetarët kanë shenja të sëmundjes dhe për rastet e urgjencave duhet të telefonohet numri unik i urgjencës kombëtare 127!