Kur një person fillon të humbasë peshë, ndryshimet në peshore mund të duken të shpejta në fillim. Megjithatë, jo e gjithë pesha e humbur vjen nga yndyra.
Humbja e peshës mund të përfshijë uljen e rezervave të karbohidrateve, proteinave, ujit dhe yndyrës në trup, ndërsa humbja e yndyrës i referohet vetëm uljes së masës dhjamore. Për këtë arsye, humbja e yndyrës zakonisht ndodh më ngadalë.
Procesi i humbjes së peshës mund të kalojë në disa faza dhe ritmi i tij ndryshon nga një person te tjetri. Mosha, gjinia, pesha fillestare, ushqyerja dhe niveli i aktivitetit fizik mund të ndikojnë në mënyrën se si trupi ndryshon gjatë këtij procesi sipas artikullit në Healthline.
Faza e parë: Humbja e shpejtë e peshës
Në javët e para të një plani për humbje peshe, njerëzit zakonisht humbin peshën më shpejt dhe mund të fillojnë të vërejnë ndryshime në pamjen e trupit ose në mënyrën se si u përshtaten rrobat.
Në këtë periudhë, një pjesë e konsiderueshme e peshës së humbur mund të jetë ujë.
Kjo vihet re veçanërisht te personat që ndjekin një dietë me pak karbohidrate. Kur reduktohet marrja e karbohidrateve, trupi përdor rezervat e tij të glikogjenit. Glikogjeni ruhet bashkë me ujë, ndaj kur rezervat e tij ulen, trupi humbet edhe një sasi uji.
Për këtë arsye, një dietë me pak karbohidrate mund të shkaktojë një rënie më të shpejtë të numrit në peshore në fillim, krahasuar me një dietë me pak yndyrë.
Megjithatë, kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se një dietë me pak karbohidrate ose dietë ketogjene sjell më shumë humbje peshe në afat të gjatë. Kërkimet mbi këtë çështje mbeten të përziera.
Edhe faktorë të tjerë ndikojnë në ritmin e humbjes së peshës. Personat me peshë më të madhe fillestare mund të humbin peshë më shpejt, ndërsa aktiviteti fizik mund të ndikojë gjithashtu në rezultatet.
Disa kërkime kanë treguar se burrat mund të humbin peshë më shpejt se gratë, ndërsa mosha gjithashtu mund të ndikojë në ritmin e ndryshimeve në peshë.
Faza e dytë: Humbja më e ngadaltë e peshës
Pas javëve të para, ritmi i humbjes së peshës zakonisht ngadalësohet. Në këtë fazë, një pjesë më e madhe e peshës së humbur vjen nga yndyra trupore.
Kjo është edhe periudha kur disa persona mund të përballen me një të ashtuquajtur “stagnim të peshës”, pra një periudhë gjatë së cilës pesha ndryshon shumë pak ose nuk ndryshon fare.
Një nga arsyet mund të jetë përshtatja metabolike. Ndërsa pesha trupore ulet, organizmi mund të shpenzojë më pak kalori gjatë ditës dhe gjatë aktivitetit fizik.
Megjithatë, stanjacioni i peshës mund të ndodhë edhe sepse disa dieta janë tepër kufizuese dhe të vështira për t’u ndjekur për një kohë të gjatë. Në këto raste, personat mund të largohen gradualisht nga rregullat e dietës.
Për këtë arsye, një mënyrë ushqyerjeje që përshtatet me stilin e jetesës dhe preferencat personale mund të jetë më e lehtë për t’u ndjekur në afat të gjatë.
Humbja e peshës nuk është e njëjtë me humbjen e yndyrës
Termat “humbje peshe” dhe “humbje yndyre” shpesh përdoren si sinonime, por nuk nënkuptojnë të njëjtën gjë.
Humbja e peshës nënkupton uljen e peshës së përgjithshme të trupit, e cila mund të vijë nga humbja e ujit, karbohidrateve të ruajtura, proteinave dhe yndyrës.
Humbja e yndyrës, në anën tjetër, i referohet vetëm uljes së masës dhjamore.
Kjo është e rëndësishme sepse humbja e peshës nuk do të thotë automatikisht se një person ka humbur vetëm yndyrë. Në disa raste mund të humbet edhe masë muskulore ose ujë.
Ruajtja e masës muskulore është e rëndësishme për shëndetin, pasi muskujt ndihmojnë në lëvizshmëri, kontrollin e sheqerit në gjak dhe funksionimin e organizmit ndërsa plakemi.
Një peshore e zakonshme nuk mund të tregojë nëse kilogramët e humbur kanë ardhur nga yndyra, muskujt apo uji. Megjithatë, konsumimi i mjaftueshëm i proteinave, aktiviteti fizik dhe krijimi i një deficiti të moderuar kalorik mund të ndihmojnë në favorizimin e humbjes së yndyrës duke ruajtur sa më shumë masën muskulore.
Si mund të parandalohet rikthimi i peshës?
Mbajtja e peshës së humbur mund të jetë sfiduese. Një rishikim i vitit 2018, i cili përfshiu të dhëna nga një rishikim më i hershëm i 29 studimeve, raportoi se pjesëmarrësit që humbën peshë përmes dietave kishin rikthyer më shumë se gjysmën e peshës së humbur brenda dy viteve dhe më shumë se 80% brenda pesë viteve.
Këto të dhëna nuk nënkuptojnë se humbja e peshës nuk është e mundur ose se nuk mund të ketë përfitime shëndetësore. Ato tregojnë rëndësinë e krijimit të zakoneve që mund të vazhdojnë edhe pasi të arrihet pesha e synuar.
Disa zakone mund të ndihmojnë në ruajtjen e rezultateve:
Monitoroni zakonet tuaja. Mbajtja e shënimeve për ushqimin dhe aktivitetin fizik mund t’ju ndihmojë të kuptoni më mirë zakonet tuaja dhe mënyrën se si ato ndikojnë në qëllimet tuaja.
Zgjidhni aktivitete fizike që ju pëlqejnë. Aktiviteti fizik nuk nënkupton vetëm palestrën. Ecja, çiklizmi, noti, ngjitja e shkallëve apo aktivitetet në natyrë janë gjithashtu mënyra për të qenë aktivë. Një aktivitet që ju pëlqen ka më shumë gjasa të bëhet pjesë e rutinës suaj.
Mbani ushqime të shëndetshme në shtëpi. Frutat, perimet dhe ushqimet e tjera ushqyese mund të jenë më të lehta për t’u zgjedhur kur janë të disponueshme, ndërsa kufizimi i ushqimeve shumë të përpunuara mund ta bëjë më të thjeshtë një ushqyerje të ekuilibruar.
Kujdesuni për gjumin dhe stresin. Mungesa e gjumit dhe stresi mund të ndikojnë në zakonet e të ushqyerit dhe në përpjekjet për të menaxhuar peshën. Vendosja e një rutine të rregullt gjumi dhe gjetja e mënyrave për menaxhimin e stresit mund të jenë pjesë e rëndësishme e këtij procesi.
Përqendrohuni te ushqimet e plota. Frutat, perimet, drithërat integrale, bishtajoret dhe mishrat pa shumë yndyrë mund të ofrojnë fibra, proteina, vitamina dhe minerale, duke ndihmuar në ngopje dhe në plotësimin e nevojave ushqyese.
Cila është faza më e vështirë e humbjes së peshës?
Faza e dytë mund të duket më sfiduese për shumë persona, pasi ritmi i humbjes së peshës ngadalësohet dhe mund të shfaqen periudha kur pesha nuk ndryshon.
Kjo është gjithashtu periudha kur është e rëndësishme të shmangen dietat tepër kufizuese dhe të përqendroheni te zakonet që mund të vazhdojnë për një kohë të gjatë.
Cila pjesë e trupit humbet yndyrë e para?
Kjo ndryshon nga personi në person dhe ndikohet nga faktorë si gjenetika, gjinia dhe mosha.
Nuk është e mundur të përcaktohet me ushtrime se nga cila pjesë e trupit do të humbet yndyra. Megjithatë, disa kërkime sugjerojnë se burrat mund të kenë tendencë të humbin më shumë yndyrë nga zona e barkut, ndërsa gratë mund të vërejnë më shumë ndryshime në zonën e ijeve.
Personat në moshën e mesme dhe gratë pas menopauzës kanë më shumë gjasa të grumbullojnë yndyrë rreth barkut, ndaj ndryshimet në këtë zonë mund të jenë gjithashtu të dukshme gjatë humbjes së peshës.
Çfarë ndodh në organizëm gjatë djegies së yndyrës?
Gjatë aktivitetit fizik, organizmi mund të shpërbëjë yndyrën e ruajtur, e njohur si triacilglicerol, përmes një procesi të quajtur lipolizë.
Ky proces çliron acide yndyrore të lira në qarkullimin e gjakut. Ato transportohen drejt indeve, ku mund të përdoren si burim energjie.
Kur muskujt kanë nevojë për më shumë energji, acidet yndyrore hyjnë në mitokondritë e qelizave muskulore dhe përdoren për prodhimin e energjisë.
Me kalimin e kohës, kur përmbajtja e qelizave dhjamore përdoret dhe lirohet, madhësia e tyre zvogëlohet. Ky proces kontribuon në uljen e masës dhjamore të trupit.
Në fund
Humbja e peshës nuk është një proces linear. Në fazën e parë, pesha mund të ulet më shpejt, kryesisht për shkak të humbjes së ujit dhe përdorimit të rezervave të karbohidrateve. Më pas, ritmi zakonisht ngadalësohet dhe një pjesë më e madhe e humbjes së peshës vjen nga yndyra.
Për këtë arsye, numri në peshore nuk është gjithmonë treguesi i vetëm i ndryshimeve që po ndodhin në trup.
Në vend të përqendrimit vetëm te humbja e shpejtë e kilogramëve, një qasje më e qëndrueshme është ndërtimi i zakoneve të shëndetshme të ushqyerjes, aktivitetit fizik, gjumit dhe menaxhimit të stresit që mund të vazhdojnë edhe në afat të gjatë.













