Hën, Qer 29, 2026
Banner Top
Banner Top
Roli i infermierëve në humanizimin e kujdesit shëndetësor – Intervistë me Fekrije Hasani

Shkruan: Bubulina Peni

Fekrije Hasani, Eksperte e Lartë e Shëndetësisë në Projektin për Shërbime të Integruara Shëndetësore (IHS), e nisi rrugëtimin e saj profesional si infermiere në vitin 1979. Edhe sot, pas dekadash përvojë në sektorin e shëndetësisë, ajo e kujton qartë rëndësinë që ka profesioni i infermierisë dhe rolin e pazëvendësueshëm që infermierët kanë në kujdesin ndaj pacientëve.

Për Hasanin, puna e infermierit nuk kufizohet vetëm në ofrimin e shërbimeve shëndetësore pasi ajo beson se kujdesi i treguar me përkushtim, etikë profesionale dhe ndjenjë njerëzore mund të bëjë një dallim të madh në jetën e pacientëve. 

Sipas saj, shpesh, një fjalë e mirë, një gjest mbështetës apo një qasje e ngrohtë kanë po aq rëndësi sa edhe vetë trajtimi mjekësor.

Në këtë intervistë, Hasani ndan përvojat dhe reflektimet e saj mbi profesionin e infermierisë, sfidat dhe vlerat që e kanë shoqëruar gjatë gjithë karrierës së saj.

Intervistën e plotë e gjeni më poshtë:

Nga cili vit punoni si infermiere dhe ku keni kontribuar gjatë karrierës suaj?

Karrierën si infermiere e kam filluar në vitin 1979, ndërsa paralelisht kam vazhduar shkollimin në Shkollën e Lartë të Mjekësisë në Beograd. Për këtë rrugëtim i jam veçanërisht mirënjohëse babait tim, i cili më ka mbështetur vazhdimisht në zhvillimin tim profesional.

Që nga viti 1985 jetoj dhe punoj në Kosovë. Kam shërbyer si kryeinfermiere në Klinikën e ORL-së në QKUK, kam qenë e angazhuar në arsimin e mesëm shëndetësor gjatë viteve ’90 dhe, pas kthimit nga Gjermania në vitin 1999, kam ushtruar detyrën e Drejtoreshës së parë të Infermierisë në QKUK.

Gjatë karrierës sime kam kontribuar në zhvillimin profesional të infermierëve përmes projekteve të ndryshme, kam përfunduar studimet master në Shëndet Publik në Glasgow/ Skoci, kam qenë e angazhuar asistenet në Departamentin e Infermierise në Universitetin e Prishtinës dhe nga viti 20210 kam udhëhequr Departamentin e Infermierisë në Kolegjin Rezonanca. 

Gjithashtu, kam drejtuar Qendrën për Edukim të Vazhdueshëm Infermierik pranë Ministrisë së Shëndetësisë dhe kam qenë pjesë e shumë iniciativave për zhvillimin e infermierisë në Kosovë.

Edhe sot vazhdoj të jem aktive në projekte profesionale, duke kontribuar me të njëjtin përkushtim si në fillimet e karrierës sime. Ky rrugëtim nuk do të ishte i mundur pa mbështetjen e vazhdueshme të bashkëshortit tim dhe tre fëmijëve të mi. 

Çfarë ju shtyu të zgjidhni profesionin e infermierisë?

Jam e lindur në Kërçovë. Gjatë viteve ’70, kur isha ende në shkollë fillore, gjyshi im nga nëna ishte i sëmurë rëndë. Në atë kohë kishte mungesë të infermierëve që ofronin kujdes në shtëpi dhe ai ndërroi jetë pa marrë trajtimin e nevojshëm. Kjo ngjarje më la përshtypje të thellë dhe që atëherë vendosa të bëhem infermiere, me dëshirën për të ndihmuar familjen dhe komunitetin tim përmes kujdesit shëndetësor.

Më vonë, pas diplomimit, jeta më solli në Kosovë, ku kam ndërtuar pothuajse të gjithë karrierën time profesionale. Edhe pse nuk pata mundësi të kontribuoj në vendlindje, gjithmonë jam ndier pjesë e Kosovës dhe këtu kam gjetur hapësirën për zhvillimin tim profesional.

Si e përshkruani rolin e infermierisë në Kosovë përtej detyrave teknike të përditshme?

Me avancimin e edukimit infermieror në Kosovë, roli i infermierisë ka evoluar dhe sot shkon shumë përtej detyrave teknike të përditshme. Infermieria përfaqëson një kombinim të shkencës dhe artit të kujdesit ndaj njeriut.

Infermierët luajnë rol kyç në mbrojtjen dhe promovimin e shëndetit, parandalimin e sëmundjeve, lehtësimin e procesit të shërimit dhe zbutjen e vuajtjes përmes kujdesit empatik dhe të përqendruar te pacienti.

Përveç kujdesit klinik, infermierët kontribuojnë në zhvillimin e politikave dhe procedurave, angazhohen gjithnjë e më shumë në kërkime shkencore dhe praktikë të bazuar në dëshmi, ushtrojnë role udhëheqëse në institucione shëndetësore dhe edukative, si dhe shërbejnë si mentorë për gjeneratat e reja të infermierëve.

Sa konsideroni se arrijnë infermierët në Kosovë ta bëjnë kujdesin ndaj pacientit më njerëzor dhe më të afërt?

Pavarësisht ngarkesës së madhe në punë, infermierët përpiqen të ofrojnë kujdes sa më njerëzor, duke mos u fokusuar vetëm te sëmundja, por te personi në tërësi.

Ata tregojnë empati, dëgjojnë me vëmendje, identifikojnë nevojat e pacientëve përmes komunikimit aktiv, i trajtojnë me dinjitet dhe i përfshijnë në vendimmarrje për kujdesin e tyre.

Këto aftësi zhvillohen gjatë edukimit akademik dhe përforcohen përmes edukimit të vazhdueshëm profesional, ku komunikimi dhe etika zënë vend të rëndësishëm.

Këtë e vërej edhe nga vlerësimet që pacientët japin për përvojat e tyre gjatë qëndrimit në spital.

Sa i rëndësishëm është komunikimi mes infermierit dhe pacientit në përvojën e trajtimit?

Komunikimi është thelbësor në kujdesin infermieror. Përmes komunikimit të qartë, të respektueshëm dhe me empati, infermierët kuptojnë më mirë nevojat dhe shqetësimet e pacientëve, duke krijuar një marrëdhënie besimi.

Një komunikim i mirë i ndihmon pacientët të kuptojnë gjendjen e tyre shëndetësore, trajtimin dhe planin e kujdesit, duke u mundësuar të marrin vendime të informuara. Po ashtu, dëgjimi aktiv dhe mbështetja emocionale ndihmojnë në uljen e ankthit dhe përmirësimin e përvojës së trajtimit.

Komunikimi efektiv lehtëson edhe bashkëpunimin ndërmjet profesionistëve shëndetësorë, zvogëlon rrezikun e keqkuptimeve dhe kontribuon në sigurinë dhe cilësinë e kujdesit ndaj pacientit.

Si ndikon kujdesi individual i infermierëve te pacientët, sidomos në spitalet publike me shumë ngarkesë?

Kujdesi infermieror i individualizuar është një qasje e përqendruar te pacienti, ku ndërhyrjet, edukimi dhe mbështetja përshtaten sipas nevojave specifike të secilit individ.

Kjo qasje rrit angazhimin e pacientit dhe përmirëson rezultatet klinike. Në spitalet publike, ku infermierët shpesh përballen me ngarkesë të madhe dhe sfida organizative, ekziston nevoja për hartim të procedurave drejt një kujdesi më të orientuar te pacienti. Kjo qasje synon të krijojë mundësi për kujdes më efektiv, që mbështet vetëmenaxhimin dhe rrit pavarësinë e pacientit.

Megjithatë, pavarësisht vështirësive, infermierët po e zbatojnë gjithnjë e më shumë këtë qasje në praktikën e tyre të përditshme.

Çfarë rëndësie specifike ka roli i infermierëve në parandalimin dhe menaxhimin e sëmundjeve kronike jo-ngjitëse, si dhe në edukimin e pacientëve dhe komunitetit?

Infermierët kanë një rol thelbësor në parandalimin dhe menaxhimin e sëmundjeve kronike jo-ngjitëse, pasi janë në kontakt të vazhdueshëm me pacientët, familjet dhe komunitetin. Përmes këtij roli, ata kontribuojnë në promovimin e shëndetit, parandalimin e faktorëve të rrezikut dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së pacientëve.

Roli specifik i infermierëve përfshin:

  • Promovimin e shëndetit dhe parandalimin e sëmundjeve përmes edukimit për mënyrën e shëndetshme të jetesës, ushqyerjen, aktivitetin fizik, reduktimin e faktorëve të rrezikut dhe kontrollet preventive.
  • Zbulimin e hershëm dhe monitorimin e gjendjes shëndetësore përmes vlerësimeve rutinë, matjes së parametrave shëndetësorë dhe identifikimit të personave në rrezik për ndërhyrje në kohë.
  • Edukimin e pacientëve dhe mbështetjen për vetëmenaxhim, duke i ndihmuar pacientët me diabet, hipertension dhe sëmundje të tjera kronike të kuptojnë sëmundjen, të menaxhojnë trajtimin, të respektojnë terapinë dhe të adoptojnë sjellje më të shëndetshme.
  • Menaxhimin afatgjatë të sëmundjeve kronike, përmes monitorimit të vazhdueshëm, parandalimit të komplikimeve dhe bashkëpunimit me ekipin multidisiplinar.
  • Edukimin dhe angazhimin në komunitet, përmes aktiviteteve ndërgjegjësuese dhe promovimit të kulturës shëndetësore për parandalimin e sëmundjeve.
  • Koordinimin e kujdesit dhe avokimin për pacientin, duke siguruar vazhdimësi të kujdesit ndërmjet niveleve të ndryshme shëndetësore dhe duke kontribuar në përmirësimin e cilësisë së shërbimeve.

Duke pasur parasysh këto role, vlen të theksohet se infermierët janë shtyllë e rëndësishme në sistemin shëndetësor në parandalimin dhe menaxhimin e sëmundjeve kronike jo-ngjitëse. Roli i tyre shkon përtej ofrimit të kujdesit klinik, duke përfshirë promovimin e shëndetit, edukimin e pacientëve dhe komunitetit, mbështetjen e vetëmenaxhimit, koordinimin e kujdesit dhe avokimin për pacientët.

Përmes këtyre funksioneve, infermierët kontribuojnë në zbulimin e hershëm të sëmundjeve, parandalimin e komplikimeve, përmirësimin e cilësisë së jetës së pacientëve dhe uljen e barrës së sëmundjeve kronike mbi sistemin shëndetësor.

Në kontekstin e reformave shëndetësore në Kosovë, fuqizimi i rolit të infermierëve në edukimin shëndetësor, promovimin e shëndetit dhe mbështetjen e vetëmenaxhimit të pacientëve është një investim strategjik për ndërtimin e një sistemi shëndetësor më efektiv, më të qëndrueshëm dhe më të orientuar drejt nevojave të pacientit.

Ky rol është veçanërisht i rëndësishëm për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet spitaleve dhe kujdesit parësor shëndetësor, duke siguruar vazhdimësi të kujdesit dhe rezultate më të mira për pacientët me sëmundje kronike.

Cilat janë sfidat kryesore që pengojnë një kujdes më human në sistemin shëndetësor në Kosovë?

Sfidat kryesore janë mungesa e stafit, stërngarkesa e infermierëve, organizimi jo gjithmonë adekuat i punës dhe kushtet jo të mjaftueshme në disa institucione shëndetësore.

Po ashtu, duhet t’i kushtohet më shumë vëmendje mirëqenies së vetë profesionistëve shëndetësorë. Infermierët shpesh vendosin nevojat e pacientëve para nevojave të tyre, duke treguar përkushtim të jashtëzakonshëm, siç u dëshmua edhe gjatë pandemisë COVID-19.

Duhet të ketë mbështetje më të madhe për infermierët që të ndërtohet një sistemi më human dhe më të përqendruar te pacienti.

A konsideroni se infermierët ndihen të mbështetur mjaftueshëm për të ofruar kujdes më të përkushtuar ndaj pacientit?

Fatkeqësisht, jo gjithmonë. Edhe pse infermierët kanë rol kyç në kujdesin ndaj pacientëve, ata ende nuk mbështeten dhe nuk vlerësohen mjaftueshëm në përputhje me përgjegjësitë dhe kompetencat e tyre.

Infermierët kontribuojnë drejtpërdrejt në sigurinë e pacientit, vazhdimësinë e kujdesit dhe cilësinë e shërbimeve shëndetësore. Megjithëse edukimi infermieror në Kosovë ka avancuar ndjeshëm, ky zhvillim ende nuk reflektohet plotësisht në mbështetjen institucionale dhe vlerësimin profesional.

Prandaj, nevojitet më shumë njohje, mbështetje dhe fuqizim i rolit të infermierëve në sistemin shëndetësor.

A mund të ndani një përvojë nga puna juaj që tregon rëndësinë e aspektit njerëzor në këtë profesion?

Gjatë 44 viteve të punës sime në institucione shëndetësore brenda dhe jashtë vendit, kam përjetuar shumë momente që dëshmojnë rëndësinë e aspektit njerëzor në infermieri.

Një prej tyre lidhet me fillimet e karrierës sime, kur punoja me pacientë që vuanin nga probleme të shëndetit mendor. Shumë prej tyre kishin vështirësi ta pranonin dhe të përshtaten me gjendjen e tyre shëndetësore.

Kam vërejtur se komunikimi i ngrohtë, empatia dhe respekti ndikonin dukshëm në gjendjen e tyre emocionale. Shpesh pacientët më prisnin me gëzim dhe më thoshin se ndiheshin më të sigurt dhe më të qetë për shkak të mënyrës se si komunikoja dhe kujdesesha për ta.

Kjo përvojë më bëri të kuptoj se, përveç njohurive profesionale, mënyra se si i qasemi pacientit ndikon drejtpërdrejt në mirëqenien emocionale dhe procesin e shërimit. Pikërisht ky entuziazëm për të ndihmuar njerëzit në nevojë më ka shoqëruar gjatë gjithë karrierës sime.

Çfarë do të duhej të përmirësohej në sistem që kujdesi infermieror të jetë më i fokusuar te pacienti si njeri?

Ngarkesa e madhe në punë dhe sfidat e përditshme shpesh e vështirësojnë ruajtjen e fokusit të plotë te qasja humane ndaj pacientit.

Për këtë arsye, nevojitet forcimi i sistemit shëndetësor dhe atij edukativ, si dhe krijimi i kushteve më të mira për studim, praktikë profesionale dhe zhvillim të vazhdueshëm. Përmirësimi i praktikës klinike, organizimit të punës dhe rritja e numrit të infermierëve do të mundësonin një kujdes më të përkushtuar dhe më të individualizuar.

Infermieria është një profesion që ndërthur dimensionin profesional me atë human, prandaj respekti, empatia dhe përkushtimi ndaj pacientit duhet të mbeten gjithmonë në qendër të praktikës sonë.

Mesazhi im për gjeneratat e reja është të punojnë me përkushtim dhe të shfrytëzojnë mundësitë për të kontribuar në Kosovë, sepse infermieria është një profesion me vlerë të madhe njerëzore dhe profesionale.

Kjo intervistë është realizuar në kuadër të aktivitetit “Përtej titujve: Gazetaria, sëmundjet kronike jongjitëse dhe tregimet që kanë rëndësi”, një partneritet ndërmjet Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK) dhe projektit Shërbimet Shëndetësore të Integruara (IHS). IHS është nismë e përbashkët e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim në Kosovë. Përmbajtja e intervistës nuk përfaqëson domosdoshmërisht qëndrimet e IHS-së apo AGK-së.

Youtube

Arkiva

Kategoritë