Mamia Razije Musa ka qenë e ftuar në emisionin Familja Jonë, ku ka ndarë një mesazh të gjerë dhe të drejtpërdrejtë për çiftet që planifikojnë të krijojnë familje, duke u ndalur në rëndësinë e përgatitjes para sjelljes së një fëmije në jetë.
Ajo theksoi se vendimi për të pasur fëmijë nuk duhet të merret në mënyrë impulsive apo pa reflektim të thellë, por duhet të jetë rezultat i një planifikimi të vetëdijshëm dhe të përgjegjshëm mes partnerëve.
“Mos thoni ‘kam me lind fëmijë me ty’, por duhet t’i korrigjoj disa gjëra. Korrigjoni çdo gjë para lindjes, dini me çfarë personi po hyni në martesë dhe me çfarë personi do të bëni fëmijë. Mos bëni fëmijë veç për qejf”, u shpreh Razije Musa.
Sipas saj, mungesa e harmonisë në familje dhe mosmarrëveshjet mes prindërve mund të lënë pasoja të drejtpërdrejta te fëmijët.
“Prandaj përgatituni, prisni beben me shumë dashuri. Me shumë dashuri ka me qenë edhe ai fëmijë. Nëse filloni të thoni jo për këtë arsye, jo për atë arsye, aty është gabimi më i madh”, shtoi ajo.
Musa u ndal gjithashtu te ndryshimet mes praktikave të kujdesit për foshnjat në të kaluarën dhe ato të sotmet, duke vënë në pah përparimin e njohurive dhe metodave bashkëkohore të kujdesit shëndetësor.
Gjatë intervistës ajo bëri edhe një krahasim mes situatës në Kosovë dhe vendeve të tjera si Anglia dhe Libia, duke theksuar dallimet në qasjen ndaj edukimit prindëror dhe kujdesit neonatal.
Sipas saj, rritja e vetëdijes së prindërve dhe informimi i duhur janë çelësi për një zhvillim më të shëndetshëm të fëmijëve dhe një familje më të qëndrueshme në përgjithësi.
Videon e plotë të intervistës në Familja Jonë, ku mamia Musa jep këshilla të detajuara mbi mirëqenien e foshnjës dhe përvojën e saj shumëvjeçare në këtë fushë, mund ta gjeni më poshtë.












