Domatja e gjelbër, e cila shpesh përdoret në gatime tradicionale dhe në përgatitjen e turshive, përmban vlera të rëndësishme ushqyese dhe konsiderohet një perime me përfitime të shumta për organizmin.
Nutricionistja e emisionit “Familja Jonë”, Albulena Shabani Ilazi, shpjegon se domatja e gjelbër dallohet për përmbajtjen e lartë të fibrave, të cilat luajnë rol të rëndësishëm në funksionimin e sistemit tretës dhe në përmirësimin e shëndetit të zorrëve.
“Likopinen e ka në sasi më të vogël në krahasim me domaten e kuqe, por përmban edhe minerale që janë shumë të rëndësishme. Domethënë, preferohet të gatuhet dhe të përdoret edhe e gjelbër.” shpjegon ajo.
Sipas saj, ndonëse domatja e kuqe njihet si burimi kryesor i likopenit, edhe domatja e gjelbër ka përbërës të vlefshëm ushqyes, përfshirë minerale dhe fibra, të cilat kontribuojnë në një dietë të balancuar. Për këtë arsye, ajo rekomandon që domatja e gjelbër të mos kufizohet vetëm në përdorimin për turshi, por të përfshihet edhe në gatime të ndryshme të përditshme.
Përpos përdorimit në turshi, nutricionistja thekson se kjo domate mund të kombinohet lehtësisht me perime të tjera në gatime të ndryshme, sidomos në përgatitje të lehta dhe të shëndetshme.
“Kryesisht me krejt perimet, për shembull kur i përgatisim në avull ose vetëm pak në vaj, preferohet që të shtohet edhe domatja e gjelbër, me qepë, me spec, me karrotë, me kungulleshkë”
Ajo shton se kombinimi i domates së gjelbër me perime të ndryshme jo vetëm që përmirëson shijen e ushqimit, por gjithashtu rrit vlerën e tij ushqyese. Sipas Shabani Ilazit, fibrat që përmban domatja e gjelbër ndihmojnë në pasurimin e vakteve dhe në krijimin e një ushqimi më të shëndetshëm dhe më të balancuar.
Shpjegimin e nutricionistes e gjeni në videon më poshtë:













