Këtë të diel emisioni “Familja Jonë” vjen me përmbajtje të pasur dhe tema të larmishme që prekin shëndetin, kulturën dhe çështjet sociale.
Në hapje të programit, i ftuar do të jetë oftalmologu Dr. Afrim Shabani, me të cilin do të diskutojmë për përdorimin e teknologjisë laserike në trajtimin e anomalive të syve. Shabani do të shpjegojë llojet e laserit, përfitimet e kësaj metode moderne dhe rastet kur rekomandohet aplikimi i saj.
Në vijim, përmes një storie nga terreni, do të trajtohet përdorimi i laserit tek pacientët me katarakt dhe tension të lartë të syve. Së bashku me oftalmologun Dr. Valbon Ajazaj, sjellim më afër përvojat e pacientëve dhe rëndësinë e trajtimit në kohë.
Blloku i tretë i kushtohet artit dhe kulturës. E ftuar do të jetë aktorja Gresë Gashi, e cila do të flasë për shfaqjen ndërkombëtare “9 shpirtra” dhe angazhimin e saj në këtë projekt.
Një tjetër storie nga terreni vjen nga shkolla finlandeze në Kosovë, e cila për të gjashtin vit me radhë transmetohet në televizionin CNN përmes kampanjës “My Freedom Day”. Kjo iniciativë synon të edukojë nxënësit për të drejtat dhe liritë e njeriut, si dhe t’i vetëdijesojë për tema të ndjeshme sociale.
Në rubrikën “Magjikët e Vegjël”, kësaj radhe do të jetë e ftuar këngëtarja e re Leonita Ahmetaj.
Takohemi të dielën, nga ora 16:00, në Kanal 10.













