Mjekët në Klinikën e Kirurgjisë Torakale të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës kanë larguar me sukses plumbin nga mushkëritë e një pacienti 28-vjeçar.
Siç ka njoftuar QKUK-ja, 28-vjeçari ishte plagosur para 10 muajsh dhe tek ai kishte mbetur një plumb në lobin e poshtëm të mushkërisë së majtë.
Ekipi mjekësor ka realizuar heqjen e trupit të huaj duke përdorur metodën bashkëkohore VATS-Uniportal (Video Assisted Thoracic Surgery – Uniportal), një teknikë minimale invazive që mundëson trajtim më të sigurt dhe rikuperim më të shpejtë për pacientin.
“Ndërhyrja është kryer me sukses të plotë, duke evituar komplikacionet e mundshme dhe duke ruajtur funksionin e mushkërisë. Pacienti është në gjendje të mirë shëndetësore dhe po vazhdon rikuperimin pas operacionit.” thuhet në njoftim.
QKUK-ja ka vlerësuar se kjo arritje dëshmon përkushtimin e vazhdueshëm të stafit mjekësor për aplikimin e metodave më të avancuara në trajtimin e pacientëve, si dhe përmirësimin e shërbimeve shëndetësore në QKUK.















