Në moshën 89-vjeçare ka vdekur akademiku Rexhep Qosja.
Për këtë kanë njoftuar familjarët e tij duke treguar se varrimi u zhvillua në praninë e anëtarëve të ngushtë të familjes.
“Me dëshirë të të ndjerit, nuk do të organizohet ceremoni pritjeje nga familja. Familja nuk do të marrë pjesë në organizime institucionale.” thuhet në njoftimin e publikuar nga familjarët të cilët kanë kërkuar që të respektohet privatësia e tyre gjatë kësaj periudhe.
“Lusim që privatësia jonë të respektohet dhe të na mundësohet të mbajmë zi në qetësi!” është theksuar në njoftim.
Rexhep Qosja i cili lindi në Vuthaj të Malit të Zi më 1936 ishte historian letërsie, kritik letrar, shkrimtar, publicist, politikan dhe akademik.
Më 1969 Qosja u zgjodh bashkëpunëtor shkencor i Institutit Albanologjik të Prishtinës. Në vitin 1971 mbrojti tezën e doktoratës mbi jetën dhe krijimtarinë e Asdrenit me punimin “Asdreni, jeta dhe vepra e tij” në studimet e tij pasuniversitare në Universitetin e Beogradit. Pas doktorimit, më 1972, u zgjodh, një herë bashkëpunëtor i lartë e pastaj, këshilltar shkencor në Institutin Albanologjik, si dhe profesor inordinar dhe profesor ordinar në Fakultetin Filozofik të Prishtinës.
Qosja ndër të tjera ishte edhe drejtor i Institutit Albanologjik prej vitit 1972 deri më 1981, shef shumëvjeçar i Degës së Letërsisë dhe të Gjuhës Shqipe të Fakultetit Filozofik dhe, gjatë viteve 1974-1975, kryeredaktor i jashtëm i revistës letrare Jeta e Re.[













