Në oborrin e Spitalit të Përgjithshëm në Pejë, u mbajtën homazhe në nderim të heroinës së Kosovës, Myrvete Maksutaj, e cila 27 vite më parë dha jetën në një akt të jashtëzakonshëm trimërie e vetmohimi.
Maksutaj humbi jetën teksa përpiqej të lironte shokun e saj të luftës, të plagosur dhe të mbajtur si i burgosur nga policia serbe brenda Spitalit të Përgjithshëm në Pejë. Ky akt i saj i guximshëm e vendosi përgjithmonë në historinë e qëndresës dhe rezistencës sonë kombëtare, duke u bërë simbol i sakrificës për lirinë e vendit.
Busti i Myrvete Maksutajt, i vendosur në oborrin e spitalit, vazhdon të jetë një kujtesë e gjallë e heroizmit dhe një pikë nderimi për të gjithë ata që kalojnë aty. Ky monument nderon jo vetëm figurën e saj, por edhe vlerat e lirisë dhe sakrificës që ajo përfaqëson.
Në ceremoninë e sotme, punëtorët e Spitalit të Përgjithshëm në Pejë, së bashku me familjarët dhe bashkëluftëtarët e heroinës, bënë homazhe pranë bustit të saj. Në emër të institucionit, Drejtori i Infermierisë, z. Bujar Agusholli, vendosi një buqetë me lule në shenjë respekti dhe mirënjohjeje të përjetshme.
Lavdi e përjetshme heroinës Myrvete Maksutaj!














