Trembëdhjetë persona janë pranuar sot në Spitalin e Përgjithshëm në Pejë me probleme në frymëmarrje, të cilat dyshohet se janë shkaktuar nga tymi i një zjarri që ka shpërthyer në një banesë në qytet.
Sipas njoftimit nga Spitali i Përgjithshëm në Pejë, 7 pacientë po marrin trajtim në Repartin e Pediatrisë, ndërsa 6 pacientë të tjerë po trajtohen në repartin e Emergjencës.
Stafi mjekësor ka bërë të ditur se pas intervenimeve të nevojshme, gjendja e të gjithëve është stabile, ata janë nën monitorim të vazhdueshëm dhe nuk paraqesin rrezik për jetën. Sipas spitalit, pritet që pacientët të lirohen pas stabilizimit përfundimtar.
Autoritetet shëndetësore po vazhdojnë vlerësimin e situatës, ndërsa nuk raportohet për pasoja të tjera nga incidenti.












