Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës (IKSHPK), në bashkëpunim me Komitetin Profesional Këshillues për Imunizim (KPKI-NITAG) dhe Sekretariatin e tij, mbajti sot një takim konsultativ për të diskutuar mbi fillimin dhe ecurinë e vaksinimit kundër gripit sezonal në vend.
Gjatë takimit, u theksua rëndësia e imunizimit të profesionistëve shëndetësorë si kategori esenciale në mbrojtjen e pacientëve, kolegëve, familjeve dhe komunitetit. Në kuadër të këtij angazhimi, anëtarët e Komitetit u vaksinuan vetë duke dhënë shembull të mirë për mbështetjen e fushatës së vaksinimit.
Fushata është mbështetur edhe nga profesionistë të tjerë të fushës së shëndetësisë, përfshirë përfaqësues nga Fakulteti i Mjekësisë, IKSHPK, Qendra Klinike Universitare e Kosovës, si dhe zyrtarë nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH).
Sipas të dhënave të IKSHPK-së, vetëm gjatë javës së parë të vaksinimit kundër gripit sezonal janë vaksinuar mbi 16 mijë qytetarë të Republikës së Kosovës.
Vaksinimi i profesionistëve shëndetësor, përveç mbrojtjes së drejtpërdrejtë të tyre, ka për qëllim edhe ruajtjen e funksionalitetit dhe qëndrueshmërisë së shërbimeve shëndetësore në vend.











