Die, Mar 29, 2026
Banner Top
Banner Top
Miliarda baktere fshihen në dushin tuaj vetëm duke pritur t’ju spërkasin në fytyrë. A duhet të shqetësoheni?

Koka e dushit dhe tubat që çojnë ujin drejt saj janë një parajsë për bakteret dhe kërpudhat. Por disa zakone të thjeshta mund t’i largojnë ato lehtësisht.

Kur shumica prej jush hyni në dush, e bëni me pritjen që do të pastroheni. Kjo duket e arsyeshme, në fund të fundit, uji i ngrohtë së bashku me avullin dhe sapunin duhet të rezultojnë në një trup të pastër dhe me aromë të mirë. Gjëja e fundit që prisni është një re bakteresh që shpërthen drejt fytyrës suaj. Megjithatë, pikërisht kjo ndodh kur hapni rubinetin.

Brenda metrit të fundit të tubave të dushit, fshihet një ekosistem mikroskopik që pret vetëm të ndizni ujin. Kjo do të thotë se shpërthimi i parë i ujit në mëngjes nuk përbëhet vetëm nga ujë dhe avull. Gjatë natës, në kokën dhe tubin e dushit krijohet një shtresë mikrobesh. Disa prej tyre përhapen përmes pikave që formohen nga spërkatja. Shumica janë të zakonshme dhe të padëmshme. Megjithatë, përbërja e saktë mikrobike varet nga materiali i tubit dhe sa shpesh e përdorni dushin, dhe këtu fillojnë surprizat.

Kokat dhe tubat e dushit janë vende ideale për bakteret. Pasi bëni dush, tubi mbetet i ngrohtë, i lagësht dhe i qetë për orë të tëra. Struktura e tij e ngushtë dhe e gjatë ofron shumë sipërfaqe të përshtatshme për mikrobet. Këto ushqehen me lëndë ushqyese të tretura në ujë, por edhe me sasi të vogla karboni që çlirohet nga plastika e tubit. Nëse ky sistem lihet pa u përdorur gjatë natës, komunitetet mikrobike krijohen shpejt. Bakteret formojnë biofilme – “qytete” mikroskopike të ngjitura në sipërfaqe të lagështa, nga trupi i anijeve deri te pllakat në dhëmbët tuaj. Pjesë të këtyre biofilmeve pastaj shpërndahen lehtë kur hapni dushin.

Sa baktere janë në të vërtetë? Në teste laboratorike dhe në shtëpi të zakonshme, numri i baktereve në tubat e dushit arrinte nga miliona deri në qindra miliona qeliza për centimetër katror. Shumica janë të padëmshme, por midis tyre gjenden edhe mikobaktere – një grup i gjerë që përfshin mikrobe të zakonshme në tokë, por edhe disa lloje që shkaktojnë tuberkuloz ose lebroz. Studiuesit që analizuan tuba dushi në shtëpi në Britani zbuluan gjithashtu ADN kërpudhore nga lloje si Exophiala, Fusarium dhe Malassezia – organizma që gjenden në lëkurën tuaj dhe në tokë, por që në disa raste mund të shkaktojnë infeksione oportuniste.

Ky përbërje mikrobike nuk është statike, ajo ndryshon me kohën. Në një studim të 48 pajisjeve dushi të ndërtuara në laborator, studiues në Kinë zbuluan se biofilmi në tuba arrinte kulmin pas rreth katër javësh përdorimi të rregullt. Pastaj zvogëlohej, sepse biofilmi ishte i lidhur dobët në tuba, por rritej sërish pas 22 javësh. Me shqetësim, studiuesit zbuluan Legionella pneumophila, bakter që shkakton sëmundjen e Legionerit – vetëm pas katër javësh, si dhe pas periudhave të gjatë stagnimi të ujit.

Për shumicën prej jush, rreziku për t’u infektuar nga koka e dushit është i ulët, veçanërisht nëse përdoret shpesh.

“Vetëm dushet e kontaminuara me Legionella ose patogjenë të tjerë oportunistë paraqesin rrezik”, thotë Frederik Hammes, mikrobiolog i ujit të pijshëm në Institutin Federal Zviceran për Shkencat e Ujit dhe Teknologjinë. “Nëse një dush është i kontaminuar posaçërisht me L. pneumophila, rreziku i infeksionit është relativisht i lartë për shkak të afërsisë së përdoruesit me vendin ku formohen aerosolat.” Por, shton ai, të dhënat sugjerojnë se rreziku është më i madh për personat klinikisht të ndjeshëm.

Kjo është arsyeja pse spitalet ndjekin protokolle më të rrepta të dezinfektimit dhe zëvendësimit të kokave të dushit. Varet gjithashtu edhe nga vendndodhja. Një studim amerikan zbuloi se zonat me përqendrim më të lartë të mikobaktereve patogjene në kokat e dushit kishin gjithashtu nivele më të larta të sëmundjes pulmonare nga mikobakteret jo-tuberkuloze (NTM). Vendet më të prekura përfshinin Havajin, Floridën, Kaliforninë Jugore dhe rajonin verilindor të SHBA-së përfshirë qytetin e Nju Jorkut. Klima dhe niveli i klorit në ujë ndikojnë në përbërjen mikrobike të dushit – zonat më të ngrohta dhe me më shumë klor kishin më shumë mikobaktere patogjene.

Përbërja e baktereve në dushin tuaj mund të varet edhe nga burimi i ujit. Shtëpitë me ujë të klorinuar priren të kenë më shumë mikobaktere se sa ato që përdorin puse ose sisteme pa klor, si në Holandë. Arsyeja është se klori favorizon mikrobe që i rezistojnë dezinfektimit.

Çfarë mund të bëni për të ulur rrezikun?

Materiali ka rëndësi

Rezulton se materiali nga i cili është bërë koka dhe tubi i dushit ndikon shumë në llojin dhe sasinë e baktereve. Në një studim, studiuesit ndërtuan dy simulues dushi të testuar çdo ditë për tetë muaj. Njëri kishte tub PVC-P, ndërsa tjetri PE-Xc. Pas tetë muajsh, të dy kishin biofilme ngjitëse, por tubi PVC-P përmbante 100 herë më shumë baktere.

Kjo ndodh sepse disa materiale plastike çlirojnë më shumë karbon në ujë, duke ushqyer më shumë mikrobet dhe duke ofruar sipërfaqe më të përshtatshme për biofilmet.

Një kokë dushi prej metali (çelik inox ose bronz i kromuar) dhe një tub i shkurtër me shtresë të brendshme PE-X ose PTFE mund të ndihmojnë në uljen e formimit të biofilmeve. Ndërkohë, kokat e dushit me dizajn kompleks ose shumë dhoma mund të mbajnë ujë të ndenjur dhe metale, duke ndihmuar në rritjen mikrobike.

Dushët ekologjikë, si ata me rrjedhë të ulët ose me efekt “shi”, gjithashtu mund të ndryshojnë nivelin e ekspozimit, pasi ndikojnë në madhësinë dhe sasinë e pikave të ujit që thithni. Por mënyra e spërkatjes ka rëndësi – funksioni “mist” prodhon deri në pesë herë më shumë aerosole të imta sesa mënyra “rain”.

Kokat e dushit “antimikrobike” që përmbajnë filtra ose metale si argjendi shpesh nuk bëjnë shumë për të ulur nivelin e patogjenëve. Sapo të formohet një biofilm ose shtresë minerale, efektiviteti i tyre bie ndjeshëm.

Zgjidhja më efektive teknologjike janë filtrat e linjës së dushit, por ato janë të shtr

enjta dhe kërkojnë presion të lartë uji.

Zakonet e thjeshta që funksionojnë

Edhe temperatura e ujit ndikon. Uji i nxehtë prodhon shpërthimin më të madh të aerosoleve të imta gjatë 1–2 minutave të para. Kjo do të thotë se ekspozimi më i madh ndaj mikrobeve ndodh menjëherë pas hapjes së dushit.

Mos qëndroni poshtë dushit menjëherë. Lëreni të rrjedhë për 60–90 sekonda para se të futeni. Kjo ndihmon edhe pas kthimit nga pushimet ose periudha të gjata pa përdorim.

Legionella shumohen në temperatura 20–45°C, por zhduken mbi 50°C, veçanërisht në 60°C. Nëse uji ngrohet në bojler ose depo, mbajeni në 60°C dhe përdorni valvul termostatike për të rregulluar temperaturën në dush (ujin mos e përdorni mbi 48°C për të shmangur djegien). Edhe 45°C janë të mjaftueshme për të kufizuar rritjen mikrobike në një dush të përdorur rregullisht.

Aerosolet e ngarkuara me mikrobe arrijnë kulmin pas rreth dy minutash dhe mund të qëndrojnë në ajër deri në pesë minuta pasi dushi është fikur. Në laborator, grimcat më të vogla qëndronin në ajër për mbi një orë.

Ventiloni ambientin. Aktivizoni aspiratorin gjatë dhe pas dushit. Kjo ndihmon në uljen e mikrogrimcave.

Përdorimi i shpeshtë i dushit ndihmon gjithashtu, pasi parandalon që uji të qëndrojë i ndenjur në tuba dhe kokë.

Dhe çuditërisht, një tub i ri dushi nuk është gjithmonë zgjidhja më e mirë. Biofilmet forcohen me kalimin e kohës, por bakteret në një tub të ri janë më të lehta për t’u shpërndarë në ajrin e parë. Një studim tregoi se 62% e mikrobeve të shpërndara vijnë nga një tub katërjavësh, ndërsa pas 40 javësh kjo bie në vetëm 1.5%.

Mirëmbajtja e rregullt është më e rëndësishmja

Pastroni rregullisht kokën e dushit dhe kaloni ujë shumë të nxehtë nëpër të. Nëse në shtëpi keni dikë klinikisht të ndjeshëm, ndërroni tubin dhe kokën çdo vit në vend që të mbështeteni te produktet “antimikrobike”.

Në spitalet dhe qendrat e kujdesit, udhëzimet nga NHS në Britani dhe CDC në SHBA kërkojnë dizajn të kujdesshëm dhe mirëmbajtje të rreptë. Dezinfektimi dytësor i furnizimit me ujë mund të jetë gjithashtu i nevojshëm.

Nëse ideja e këtyre mikrobeve në dush ju shqetëson, përpiquni ta shihni ndryshe: dushi nuk është i papastër, është ekologjik. Është një komunitet mikroskopik që ju përshëndet sa herë hapni rubinetin. Nuk do të mund t’i zhdukni plotësisht – ndaj më mirë është të mësoni si të bashkëjetoni me to. /BBC/

Youtube

Arkiva

Kategoritë