Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se procedurat mjekësore dhe estetike si mbjellja e flokëve, botoxi dhe fillerët, mund të ofrohen vetëm nga institucionet e licencuara që posedojnë profesionistë të kualifikuar në profilet përkatëse shëndetësore.
Sipas njoftimit, këto procedura mund të realizohen vetëm nga profesionistë me këto specializime:
- Specialist i Kirurgjisë Plastike;
- Specialist i Dermatologjisë;
- Specialist i Kirurgjisë Maksillofaciale;
- Specialist i ORL-së (Otorinolaringologjisë).
Ministria thekson se çdo profesionist apo institucion që nuk është i licencuar nga MSH dhe që nuk përfshin profesionistë të fushave të mësipërme, nuk lejohet të ofrojë këto procedura mjekësore.
Qëllimi i këtij njoftimi është mbrojtja e sigurisë së pacientëve dhe garantimi i cilësisë së shërbimeve shëndetësore estetike, duke shmangur praktikat e rrezikshme në ambiente të paautorizuara.
Ky rregull vlen për të gjitha institucionet publike dhe private që operojnë në fushën e estetikës mjekësore në Kosovë.












