Sot, Kryetari i Shoqatës së Teknikëve të Radiologjisë së Republikës së Kosovës, z. Mustafë M. Buzoku, u prit në takim nga Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (ShSKUK), z. Elvir Azizi.
Qëllimi i takimit ishte adresimi i tri çështjeve kryesore:
- Orari i punës për teknikët e radiologjisë;
- Kontrollat sistematike shëndetësore;
- Pagesa për rrezikshmërinë në vendin e punës.
Sa i përket orarit të punës, z. Buzoku kërkoi që ai të mbetet i njëjtë, duke theksuar se nuk paraqet pengesë në ofrimin e shërbimeve radiologjike. Drejtori Azizi theksoi se kjo mbetet përgjegjësi e drejtorëve dhe menaxherëve të reparteve përkatëse.
Në lidhje me kontrollet shëndetësore, kreu i shoqatës kërkoi që për të gjithë teknikët në Kosovë të caktohen kontrolle të detajuara sistematike. Për këtë, Drejtori Azizi u pajtua dhe bëri të ditur se vendimi konkret pritet të merret së shpejti.
Ndërsa për çështjen e pagesës për rrezikshmërinë, Buzoku kërkoi që ajo të jetë 20–30% e pagës bazë. Azizi potencoi se kjo do të trajtohet në mënyrë ligjore, përmes një komisioni të posaçëm që do të përcaktojë detyrat dhe përgjegjësitë e teknikëve të radiologjisë.
Shoqata e Teknikëve të Radiologjisë shprehu përkushtimin për të vazhduar angazhimin në përmirësimin e kushteve të punës dhe avancimin e shërbimeve radiologjike në vend.













