Gjilan, 4 gusht 2025
Në kuadër të shënimit të Javës Botërore të Ushqyerjes me Qumësht Gjiri, sot në Spitalin e Përgjithshëm të Gjilanit është zhvilluar një aktivitet i rëndësishëm me pjesëmarrjen e Ministrit të Shëndetësisë, Dr. Arben Vitia, dhe përfaqësuesve të UNICEF-it. Ata u mirëpritën nga drejtori ekzekutiv i spitalit, Dr. Afrim Cana, i cili i falënderoi për bashkëpunimin dhe mbështetjen e vazhdueshme për përmirësimin e shërbimeve shëndetësore në këtë institucion.
Në kuadër të këtij aktiviteti, u shpërndanë pako simbolike për lehonat, si shenjë e përkushtimit për promovimin e gjidhënies dhe përkrahjes për nënat dhe foshnjat. Kjo nismë synon të rrisë ndërgjegjësimin mbi rëndësinë e ushqyerjes me qumësht gjiri, si një nga faktorët kryesorë për zhvillimin e shëndetshëm të fëmijëve.
Ministri Vitia, në fjalën e tij, theksoi rëndësinë e këtij muaji për vetëdijesimin mbi ushqyerjen e fëmijëve dhe njoftoi për fillimin e një investimi të madh në infrastrukturën e Spitalit të Përgjithshëm Gjilan, i cili pritet të nisë në muajin tetor dhe do të zgjasë për 24 muaj. Projekti do të realizohet në bashkëpunim me agjencinë zhvillimore LuxDev dhe Ministrinë e Shëndetësisë.
“Ky projekt do të transformojë shërbimet bazë në Spitalin e Gjilanit dhe do të jetë një model për spitalet tjera në vend. Jemi të vetëdijshëm se menaxhmenti do të përballet me sfida gjatë kësaj periudhe, por do të angazhohemi të gjithë për t’i tejkaluar ato”, tha Ministri Vitia.
Ai gjithashtu paralajmëroi edhe investime të tjera kapitale në sektorin e shëndetësisë, duke theksuar koordinimin e ngushtë me SHSKUK-në për të adresuar të gjitha kërkesat që dalin nga nevojat e spitaleve dhe qendrave të mjekësisë familjare.
Nga ana tjetër, drejtori ekzekutiv i Spitalit të Gjilanit, Dr. Afrim Cana, tha se ky aktivitet është një dëshmi e përkushtimit të institucioneve për përmirësimin e shërbimeve për qytetarët.
“Synimi ynë është që të ofrojmë shërbime cilësore, afër qytetarit, dhe të jemi gjithmonë në krye të detyrës. Jemi duke punuar çdo ditë që të rregullojmë gjërat ashtu siç duhet”, theksoi Dr. Cana.
Ai informoi gjithashtu se është finalizuar projekti i Hemodializës në bashkëpunim me drejtorin e SHSKUK-së, z. Elvir Azizi, dhe se janë siguruar mbështetje për investime të mëtejshme në shumë shërbime të spitalit.
Ky aktivitet shënon një tjetër hap konkret drejt përmirësimit të sistemit shëndetësor në rajonin e Gjilanit, duke vënë në qendër kujdesin për nënat, foshnjat dhe komunitetin në tërësi.
















