Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka paralajmëruar qytetarët për rreziqet që paraqesin temperaturat e larta që kanë përfshirë vendin gjatë kësaj vere. Në njoftimin e lëshuar, theksohet se valët e të nxehtit kanë ndikim të drejtpërdrejtë dhe negativ në shëndetin e njeriut, me theks të veçantë te grupet më të ndjeshme të popullatës.
Sipas IKSHPK-së, fëmijët e vegjël, gratë shtatzëna, personat e moshuar, ata me sëmundje kronike, si dhe punëtorët – qoftë në ambiente të hapura apo të mbyllura – janë më të rrezikuar nga pasojat e nxehtësisë së tepërt.
Rreziku është i theksuar për ata që punojnë në bujqësi, pylltari, ndërtimtari, mirëmbajtje të parqeve dhe rrugëve, si dhe për punëtorët e shërbimeve emergjente. Por, edhe ata që punojnë në mjedise të mbyllura nuk janë të përjashtuar – sidomos në industri me ekspozim të lartë ndaj nxehtësisë, si dhe në situata ku kërkohet përdorimi i pajisjeve mbrojtëse personale apo operimi i makinerive në kushte të paajrosura.
IKSHPK u bën thirrje qytetarëve që të shmangin ekspozimin në diell gjatë orëve të pikut, të konsumojnë sa më shumë lëngje dhe të qëndrojnë në ambiente të freskëta, ndërsa institucionet dhe punëdhënësit të ndërmarrin masa mbrojtëse për të parandaluar rrezikun nga temperaturat ekstreme.
Për sa i përket orarit të lejuar të punës në ambiente të jashtme gjatë temperaturave të larta, IKSHPK rekomandon që të konsultohet Rregullorja e MPMS Nr. 01/2020, e cila përcakton kërkesat minimale për siguri dhe shëndet në vendin e punës. Udhëzimet përkatëse mund të gjenden në faqet 41 dhe 42 të dokumentit, në këtë vegëz zyrtare:
Për informacione shtesë rreth masave mbrojtëse kundër të nxehtit për punonjësit, IKSHPK sugjeron referimin te dokumenti “Nxehtësia në punë – Udhëzues për vendet e punës”, i cili përmban rekomandime praktike për sigurinë në kushte të temperaturave të larta. Udhëzuesin mund ta gjeni në këtë link: https://mfpt.rks-gov.net/…/b46f1215-2a3c-43b9-8153….
Ekspozimi i zgjatur në diell pa mbrojtje të duhur mund të shkaktojë një sërë pasojash shëndetësore. Ndër to përfshihen: shqetësimi i komfortit trupor, djersitja e shtuar, skuqja dhe djegiet e lëkurës, si dhe goditja nga të nxehtit, e cila mund të çojë në dehidrim, ngërçe muskulore, të vjella, barkqitje, si dhe komplikime serioze në sistemin kardiovaskular, pulmonar, funksionin e veshkave dhe goditje në tru.
IKSHPK apelon për kujdes maksimal dhe respektim të masave parandaluese, si një hap i domosdoshëm për mbrojtjen e jetës dhe shëndetit në kushte të motit ekstrem.













