Mër, Pri 1, 2026
Banner Top
Banner Top
Rrezatimi në Radiologji: A duhet të frikësohen pacientët? – Intervistë me Dr. Krenare Shabani

Krenare Hoti

Rrezatimi në radiologji është një mjet thelbësor për diagnostikimin dhe trajtimin e saktë të sëmundjeve. Ky rrezatim zakonisht është në formën e rrezeve X dhe përfaqëson një formë energjie që kalon nëpër trup për të krijuar imazhe të detajuara të strukturave të brendshme.

Shqetësimet për rrezikshmërinë e rrezatimit janë të kuptueshme, por është e rëndësishme të theksohet se sasia e rrezatimit e përdorur në këto ekzaminime është e kontrolluar dhe ndjek standardet ndërkombëtare të sigurisë. Për shkak të këtyre shqetësimeve të pacientëve, portali FamiljaJonë ka intervistuar Dr. Krenare Shabani, radiologe në Royal Imaging Center, për të na treguar rreth llojeve të këtij ekzaminimi, rrezikut për shëndetin nga ekspozimi ndaj rrezatimit gjatë këtyre ekzaminimeve, kategorive të përsonave që nuk guxojnë t’i nënshtrohen këtyre rrezatimeve, e shumë informacione tjera.

Lexoni poshtë intervistën e plotë.

  • Çfarë është rrezatimi në kontekstin e radiologjisë?

    Rrezatimi në radiologji i referohet përdorimit të rrezeve jonizuese (si rrezet X) për të krijuar imazhe të strukturave të brendshme të trupit. Këto imazhe ndihmojnë mjekët të diagnostikojnë saktë sëmundje të ndryshme apo lëndime.

    • Cilat janë llojet e ekzaminimeve që përfshijnë rrezatim (si rëntgeni, CT, etj.)?

    Ekzaminimet më të zakonshme që përdorin rrezatim janë: Rëntgeni (radiografia), Tomografia e kompjuterizuar (CT-skaneri), Mamografia, Fluoroskopitë dhe angiografitë. Metoda të tjera, si Ultrazëri dhe Rezonanca Magnetike (MRI) nuk përdorin fare rrezatim.

    • Cila është sasia mesatare e rrezatimit që një pacient merr në një skanim të zakonshëm?

    Sasia e rrezatimit matet me njësi që quhen millisievert (mSv). Disa shembuj të zakonshëm: -Rëntgeni i mushkërive: ~0.1 mSv -Mamografi: ~0.4 mSv -CT e abdomenit dhe pelvikut : ~10 mSv Për krahasim, një person mesatar merr rreth 3 mSv në vit nga burime natyrore të rrezatimit.

    • A ka rrezik për shëndetin nga ekspozimi ndaj rrezatimit gjatë këtyre ekzaminimeve?

    Në shumicën e rasteve, rreziku është shumë i vogël dhe përfitimi diagnostik është shumë më i madh. Rreziku rritet vetëm kur bëhen shumë ekzaminime të shpeshta ose me doza të larta, si skanime të shumta me CT.

    • A ka ndonjë kategori pacientësh për të cilët shmanget çdo ekspozim ndaj rrezatimit (p.sh. gratë shtatzëna)?

    Po, gratë shtatzëna janë grupi më i ndjeshëm dhe rrezatimi shmanget sa herë që është e mundur, sidomos në tremujorin e parë. Në raste të veçanta kur ekzaminimi është i domosdoshëm, përdoren masa të veçanta mbrojtëse.

    • Nëse një pacient ka nevojë për shumë ekzaminime radiologjike në periudha të shkurtra, a ka rrezik real për shëndetin e tij?

    Po, nëse numri dhe lloji i ekzaminimeve është i lartë, mund të ketë rritje të vogël të rrezikut për dëmtime në qeliza ose zhvillim të ndonjë sëmundjeje në të ardhmen. Prandaj, çdo ekzaminim duhet të bëhet vetëm kur është i nevojshëm.

    • Çfarë masash merren për të mbrojtur pacientët gjatë ekzaminimeve me rrezatim?

    Radiologët dhe teknikët e radiologjisë përdorin: -Doza minimale të rrezatimit të nevojshme -Mjete mbrojtëse (p.sh. përparëse të plumbit) -Protokolle të standardizuara sipas llojit të ekzaminimit

    • A ka udhëzime ndërkombëtare apo protokolle që rregullojnë nivelin e pranueshëm të ekspozimit?

    Po, organizata si IAEA (Agjencia Ndërkombëtare për Energji Atomike) dhe ICRP (Komisioni Ndërkombëtar për Mbrojtje nga Rrezatimi) kanë vendosur kufij dhe rekomandime të qarta për ekspozimin ndaj rrezatimit, për të mbrojtur pacientët dhe personelin mjekësor.

    • Sipas jush, a janë pacientët të informuar mjaftueshëm për çështjen e rrezatimit?

    Fatkeqësisht, shpesh pacientët nuk janë të informuar sa duhet. Ka ende shumë frikë ose keqkuptime. Është detyrë e profesionistëve shëndetësor të japin informacion të saktë, të qartë dhe të balancuar sa i përket ekzaminimeve radiologjike, për të ndihmuar pacientët të marrin vendime.

    Dr. Krenare Shabani mund ta gjeni në Royal Imaging Center, aty ku mund të kryeni ekzaminimet e nevojshme dhe të merrni interpretimin e rezultateve nga një staf shumë profesional me përvojë evropiane.

    Youtube

    Arkiva

    Kategoritë