Ka ndërruar jetë Dr. Rrushe Ramadani Rushiti, specialiste e gjinekologjisë në Ferizaj.
Përmes një njoftimi në Facebook familjarët e saj kanë thënë se për varrimin e të ndjerës do të njoftojnë me kohë.
Dr. Rrushe Ramadani Rushiti ka studiuar Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës, ndërsa punoi si mjeke e përgjithshme në Shtëpinë e Shëndetit në Ferizaj, qysh më 1984, puna e mëpastajme në Dispanzerin e Grave dhe largimi nga puna nga organet e dhunshme serbe, çka nuk ndali përkushtimin e saj në ndihmë nënave dhe motrave tona nëpër shtëpi private, puna në ordinancën “Drita” nën drejtimin e Dr. Hajriz Dërgutit, specializimi në Tiranë për Obstetrikë-Gjinekologji në kushte të sakrificës por që nuk e zmbrapsi vullnetin e saj për dije e ngritje profesionale, angazhimi më 1997-1999 në ordinancën e Dr. Mustafë Avdylit në Viti si dhe në Spitalin “Uroplastica-Medicus” – Ferizaj, kujdestaritë e shumta në maternitetin e improvizuar “Nëna Terezë” në Prishtinë, kthimi e shërbimi në Spital pas çlirimit ku filloi me organizimin e funksionalizimin e Repartit të Gjinekologjisë, pjesëmarrja e kontributi në konferenca e kongrese të shumta shkencore, puna në ordinancën private personale “Petal” dhe puna në Poliklinikën “Zeka” ku punon edhe tani, bën kontributin e Dr. Rrushes, të çmueshëm e të vlerësuar lartë mes profesionistëve shëndetësor kudo dhe mes ferizajasve.













