Nga nesër, platforma “TikTok” nuk do të funksionojë në Shqipëri, pas vendimit të qeverisë për mbylljen e tij.
Për këtë rast, Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike administruar nga AKEP, ka bërë sot një thirrje drejtuar kompanive të internetit që të bllokojnë aksesin e këtij aplikacioni në Shqipëri.
AKEP kërkon bllokimin e serverëve të ‘TikTok’-ut në territorin e Republikës së Shqipërisë, në zbatim të vendimit zyrtar nga qeveria.
Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike ka kërkuar marrjen e masave të nevojshme për bllokimin e aksesit në aplikacionin Tik Tok duke ndërmarrë veprimet si bllokimin e IP-ve të TikTok, bllokimin e DNS-ve te TikTok, bllokimin i SNI (Server Name Indications) dhe bllokimin i IP-ve të kompanisë ByteDance.
Sipas urdhërit çdo operator/sipërmarrës që ofron shërbime/rrjete të komunikimeve elektronike sipas regjimit të autorizimit të përgjithshëm, duhet të respektojë kufizimet e transmetimeve të përcaktuara me përmbajtje të paligjshme ose të dëmshme nga AKSK.
Gjithashtu, secili sipërmarrës (ISP), duhet te paraqese konfirmim me shkrim në AKEP dhe për dijeni AKSK, për mbylljen e aksesit IP-ve dhe domaineve të cituara në shkresën e AKSK, brenda datës 13 mars 2025.
Njoftimi i AKEP:
Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) me shkresën nr. 1196 prot., datë 10.03.2025 (administruar në AKEP me nr. 359/2 prot., datë 10.03.2025), ka kërkuar marrjen e masave të nevojshme për bllokimin e aksesit në aplikacionin TIK TOK dhe infrastrukturën e tij digjitale në territorin shqiptar, duke ndërmarrë veprimet e mëposhtme:
Bllokimi i IP-ve të TikTok në territorin e Shqipërisë.
Bllokimi i DNS-ve te TikTok në territorin e Shqipërisë.
Bllokimi i SNI (Server Name Indications) të TikTok në territorin e Shqipërisë.
Bllokimi i IP-ve të kompanisë ByteDance në territorin e Shqipërisë.
Në shkresën e AKSK-së citohet baza ligjore (Vendimi i Këshillit të Ministrave nr. 151 datë 6.3.2025) dhe listën e të gjitha IP-ve dhe domaineve, për të cilat kërkohet bllokimi i aksesit.











