Gazetarja Saranda Rama ka bërë me dije se QKUK-ja dhe spitalet rajonale po përballen me mungesë të disa barnave.
Ajo ka treguar se në këto spitale nuk ka glukozë, vitaminë C, diklofen dhe dexason ampula.
Ndaj pretendimeve të gazetares Rama ka reaguar Shërbimi Klinik Universitar i Kosovës.
Këta të fundit kanë vlerësuar se spitalet e Kosovës për asnjë moment nuk janë përballur me mungesë të këtyre barnave.
Pas kësaj, gazetarja e sektorit të shëndetësisë ka reaguar prap duke postuar fotografi përmes të cilave ajo potencon se po e thotë të vërtetën.
Përmes një postimi në facebook ajo shkruan:
“Faktet nuk gënjejnë – ja e vërteta për mungesën e NaCl
Dje, shumë media e morën si të mirëqenë komunikatën e SHSKUK-së, ku thuhej se “është shpifje që nuk ka NaCl 500 ml” dhe raportuan se ka sasi të mjaftueshme.
Por unë gjithmonë ndjek të vërtetën, jo propagandën e drejtorëve. Siç kam thënë dy ditë më parë, NUK ka NaCl në spitalet rajonale. SHSKUK ka gënjyer, dhe disa media, pa verifikuar, i kanë besuar kësaj gënjeshtre. Aktualisht, NaCl ka vetëm për dializë dhe urgjenca – të tjerët detyrohen ta blejnë vetë.
Ja faktet:
Foto 1: NaCl 500 ml i blerë nga barnatoret private që është aplikuar sot tek një pacient në një nga spitalet rajonale. Kjo shihet qartë nga prodhuesi – SHSKUK furnizohet me NaCl nga Hemofarm, ndërsa ky është prodhues tjetër.
Foto 2 & 3: Dy shishe të tjera NaCl 500 ml, po ashtu të blera në tregun privat e të aplikuar tek pacientët në spitale publike. Dallohen nga banderolat – barnat që shiten në barnatore private kanë banderolë të bardhë, ndërsa ato të sistemit publik kanë banderolë të kuqe.
Foto 4: Mungon edhe jodi (Betadine) dhe disa lloje ampulash të tjera.
Foto 5 & 6: NaCl i destinuar për sistemin publik e poashtu një ku shihet qartë banderola e kuqe për ta kuptuat me mirë si dallohen me sy barnat e blera në tregun privat e ato që janë të destinuara për sistemin publik.
Pra, SHSKUK ka mashtruar dhe menaxhmenti duhet të japë llogari. Një pjesë e mediave duhet të jenë më vigjilente me deklaratat e institucioneve dhe të mos i marrin të mirëqena pa verifikuar.
Faleminderit”, ka shkruar ajo.
Më poshtë gjeni fotografitë e postuara nga ajo.


















