Enj, Nën 28, 2024
Banner Top
Banner Top
Implanti dentar – Intervistë me specialistin e kirurgjisë maksillofaciale, Dr. Shkodran Sejdijaj

Krenare Hoti

Implantet dentare tanimë janë bërë një zgjidhje e preferuar për të zëvendësuar dhëmbët e humbur. Këto implante janë një zgjidhje kirurgjikale për të zëvendësuar dhëmbët të cilët nuk i kemi më.

Në lidhje me këtë, portali Familja Jonë ka intervistuar specialistin e kirurgjisë maksillofaciale, Dr. Shkodran Sejdijaj në mënyrë që të kuptojmë se çka në fakt është një implant dentar, cilat janë përfitimet, si vijon procesi e shumë detaje të tjera.

Intervista e plotë:

1. Çfarë është implanti dentar?

Implanti dentar është një vidë e prodhuar nga titaniumi i cili shërben për ta zëvendësuar një dhëmbe të humbur. Ai përbëhet nga vida e cila futet në kockë, pastaj pjesa e sipërme që lidhet me viden e që ne e quajmë abatment dhe në të fiksohet një kurorë e dhëmbit e cila e luan rolin e dhëmbit si në aspektin funksional ashtu edhe atë estetik. Implanti pasi që futet në kockë, i nevojitet një kohë e caktuar për t’u bërë lidhja me kockën, e që ky process quhet Osteointegrim.

2. Cilat janë përfitimet e implantit dentar në krahasim me zgjidhjet e tjera për humbjen e dhëmbëve?

Përfitimet e implantit dentar në krahasim me metodat tjera janë të shumta:

  • Mundësohet kompenzimi i dhëmbëve pa pasur nevojë për gërryerje të dhëmbëve natyral;
  • Ofrojnë stabilitet më të madh në krahasim me protezat e lëvizshme;
  • E ruajnë strukturën e kockës sepse kocka me kalimin e kohës hargjohet (resorbohet);
  • Kanë funksionalitet të lartë dhe estetike të mirë.

3. Në sa seanca kryhet procesi i vendosjes së një implantit dentar dhe a ka nevojë për rishikime periodike?

Në seancën e parë bëhet ndërhyrja kirurgjike ku bëhet vendosja e implantit në kocke dhe bëhet qepja e vendit ku është bërë vendosja.

Integrimi për nofullen e sipërme zgjat 6 muaj, ndërsa për nofullën e poshtme zgjat 3 muaj.

Mundesi tjetër, në varësi nga gjendja e kockës, ekziston edhe vendosja e implanteve dhe pas 48 orëve të bëhet vendosje e menjëhershme e urave protetikore.

4. A ka ndonjë rrezik të lidhur me vendosjen e implantit dentar?

Sa i perket rrezikut të vendosjes së implanteve, nëse bëhet planifikimi korrekt dhe eleminohen të gjitha zonat të cilat mund të jenë të ndjeshme, nuk ekziston pothuajse asnjë rrezik.

5. Cilat janë kujdeset e pas-vendosjes që duhet të marr pacienti pas implantit dentar?

Pas vendosjes së implanteve, pacienti duhet shtuar shumë kujdes në higjenen orale dhe mundësisht të anuloj të gjitha shprehitë e këqija siç janë duhani dhe abuzimi me alkool.

6. Si ndikon statusi i shëndetit oral në suksesin e një implanti dentar?

Statusi i shëndetit oral është shumë i rëndësishëm, si p.sh. higjena e gojës, gjendja e mishrave të dhëmbëve, dhëmbët e pa traituar me kariesë dhe infeksionet luajnë një rol kyç.

Dendësia dhe cilësia e kockës janë faktorë tjerë shumë të rëndësishëm në suksesin e integrimit të implanteve.

Stili i jetës, gjithashtu, është një çështje shumë e rëndësishme dhe vlen të theksohet se tek duhanpirësit dhe abuzuesit e substancave alkoolike apo narkotike, përqindja e suksesit bie në masë të madhe.

Për një sukses të shkëlqyer, kontrollat e rregullta te stomaologu si dhe pastrimet profesionale periodike janë shumë të nevojshme.

7. A mund të bëj çdo aktivitet të zakonshëm të jetës së përditshme pacienti pas vendosjes së implantit?

Pas vendosjes së implanteve, pacienti bënë jetë normale dhe nuk ka asnjë kufizim të aktiviteteve të cilat i ka bërë para vendosjes së tyre.

Youtube

Arkiva

Kategoritë