Të gjithë i gëzohemi lajmeve për arritjet mbi imunoterapinë, një lloj trajtimi ky që nxit vet sistemin imunitar të identifikoj dhe luftoj qelizat kanceroze. Zhvillimet në imunoterapi janë duke avancuar me një ritëm shumë të shpejt, dhe sot ka pacientë të cilët jetojnë tre ose katër herë më gjatë se sa mund të ishte shpresuar, me efekte anësore minimale, pikërisht falë këtij lloj trajtimi.
Trajtimi me imunoterapi vepron në mënyra të ndryshme. Disa stimulojnë sistemin imunitar për të identifikuar qelizat kanceroze dhe e nxisin atë për t`i luftuar. Disa të tjerë përdorin antitrupat – të ngjashëm me ata që trupi prodhon për të luftuar infeksionet – për të nxitur sistemin imunitar të luftoj qelizat kanceroze. Të dy mekanizmat e veprimit kanë një gjë të përbashkët: efektet e tyre anësore janë më të lehta se ato që mund të shkaktohen nga kimioterapia. Për këtë arsye, shume persona nën trajtim, mund të vazhdojnë jetën e tyre normale me më pak shkëputje.
Një tjetër plus për këtë lloj trajtimi është se duke qenë se në thelb, trajnohet vet sistemi imunitar për të luftuar kancerin, rezultati i trajtimit është edhe më i gjatë. Këto efekte janë parë kryesisht në pacientët me kancerin metastatik të mushkërisë, ku efektet e trajtimit kanë vazhduar 3 deri në 4 vjet pas përfundimit të trajtimit me imunoterapi.
Sigurisht, nuk mund të thuhet se nuk ka efekte anësore. Ndonjëherë pacientët, dhe kryesisht ata që kanë histori me sëmundje autoimune , mund të shfaqin një mbistimulim të sistemit imunitar. Efekte të tjera anësore mund të jenë diarreja, simptoma të ngjashme me gripin, lodhje, inflamacion i mushkërive (pneumonitis), etj.. Kur pacientët përjetojnë simptoma si këto, rekomandohet trajtim simptomatik dhe njëkohësisht reduktohet doza e trajtimit, ose në disa raste, nëse efeket anësore janë të pa tolerueshme, mund të ndërpritet mjekimi.
Pyetja më e shpeshtë nga pacientët është: Cilët janë tumoret më të ndjeshëm ndaj këtij trajtimi?
Një lloj imunoterapie e njohur si inhibitorët checkpoint janë veçanërisht efikas ndaj kancerit si melanoma, kanceri i mushkërise dhe kanceri i vezikës. Inhibitorët checkpoint verpojnë duke “i hequr frenat” sistemit imunitar, çka e bën atë më të ndjeshëm ndaj identifikimit dhe eliminimit të qelizave kanceroze. Llojet e kancerit të cilat përmbajnë shumë mutacione gjenetike, si ato të përmendura më sipër, janë një target ideal për këtë lloj trajtimi.
Për kancerin e gjirit dhe të kolonit, e disa lloje të tjera kanceri të mushkërisë, terapitë që kanë pasur më shumë sukses janë ato me antitrupat monoklonalë, të cilat janë antitrupa laboratorike të ngjashme me ato që trupi ynë prodhon. Ato mund të ndërtohen në mënyrë të tillë, që të identifikojnë një pjesë specifike të qelizës kanceroze. Arsenali i antitrupave monoklonalë gjithashtu është duke u rritur. Pacientët që i nënshtrohen këtij lloj trajtimi kanë edhe më pak efekte anësore.
Disa lloje limfomash dhe leukozash po ashtu janë të ndjeshme ndaj imunoterapisë. Terapia me CAR T-cells ka rezultuar shume efektive në rastet e dështimit të terapive konvencionale. Terapia me CAR T-cells është një terapi gjenike – e cila konsiston në marrjen e qelizave T të pacientit dhe modifikimin e tyre në laborator, për t`i bërë ato të afta të luftojnë qelizat kanceroze. Më pas, këto qeliza ri-injektohen në trupin e pacientit. Ky lloj trajtimi është relativisht i ri, dhe në pak vende i aplikueshëm. Efektet anësore prej tij mund të jenë serioze dhe jo mirë të menaxhueshme. Për këtë arsye dhe për shkak të kostos së lartë të trajtimit, ky lloj trajtimi rekomandohet vetëm kur llojet e tjera të trajtimit kanë dështuar. Aktualisht është duke u punuar fort që efektet anësore të këtij trajtimi të minimizohen dhe ai të kthehet i aplikueshëm në mbarë botën.
Në fakt, mendohet se e ardhmja e imunoterapisë është pa dyshim e ndritur. Zhvillimet në mjekësinë precize – kujdes mjekësor sipas veçorive unike gjenetike ose molekulare për të sjellë një trajtim të personalizuar, po ndihmojnë shumë në suksesin e imunoterapisë. /Familja Jonë