Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se janë intervistuar disa zyrtarë të Institutit të Mjekësisë Ligjore lidhur me zjarrin që shpërtheu të shtunën në objektin e këtij institucioni.
Në një komunikatë të përbashkët thuhet se janë në pritje të raporteve me të gjeturat nga ekzaminimet e kryera, dhe në rast të paraqitjes së elementeve të veprës penale, sipas Prokurorisë, do të ndërmerren veprime të nevojshme.
“Në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitë relevante, përfshirë ekipin e zjarrfikësve, Policinë, ekspertët e zjarrit, Prokurori i Shtetit, drejtori i IML-së, si dhe eksperti i elektroteknikës, me ç’rast kanë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore nga vendi i ngjarjes, me qëllim të sqarimit të shkaqeve të këtij incidenti”, thuhet në njoftim.
“Prokurori i Shtetit në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës, IML-në dhe institucionet e tjera relevante janë duke vazhduar me ndërmarrjen e veprimeve hetimore deri në sqarimin e plotë të rastit në fjalë”.
Ministria e Drejtësisë ka njoftuar në mbrëmjen e së shtunës së 25marsit ka shpërthyer zjarri në ndërtesën e IML-së.
Sipas një njoftimi për media, zjarrfikësit kanë intervenuar menjëherë.
“Në orët e mbrëmjes, jemi njoftuar që në ndërtesën e Institutit të Mjekësisë Ligjore, ka shpërthyer një zjarr. Të menjëhershme kanë qenë intervenimet e zjarrfikësve. Policia është në vendin e ngjarjes po ashtu edhe zv. Ministri, Blerim Sallahu”, thuhej në njoftim